Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Bëhu pjesë e vendimmarrjes në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian për Kriterin “Reforma në Administratën Publike”!

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin fton të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, medias, pushtetit vendor, komunitetit të biznesit, shoqatave të punëmarrësve, botës akademike, qendrave kërkimore dhe grupeve të tjera të interesit, të bëhen pjesë në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian për Kriterin “Reforma në Administratën Publike”.

Kjo tryezë është një hapësirë e hapur për dialog dhe bashkëpunim, ku zërat e aktorëve të ndryshëm kontribuojnë me ide, rekomandime dhe propozime konkrete në funksion të përmirësimit të Reformës në administratën publike.


Çfarë është Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE)?

Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian është ura që lidh procesin teknik të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian me shoqërinë e gjerë shqiptare. E konceptuar si një mekanizëm gjithëpërfshirës ku bashkohen ide, qëndrime dhe ekspertiza të shumëllojshme, PPIE u jep zë aktorëve nga shoqëria civile, akademia, bota e biznesit dhe media, duke i përfshirë drejtpërdrejt në diskutime dhe vendimmarrje për çdo kapitull të negociatave, me synimin për të udhëhequr një proces sa më të hapur, të informuar dhe përfaqësues.
Tryeza e Partneritetit për Kriterin “Reforma në Administratën Publike”, pjesë e Grupkapitujve Themelorë, udhëhiqet nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në cilësinë e Negociatorit për këtë fushë, teksa koordinimi teknik garantohet nga Departamenti i Administratës Publike në rolin e Sekretariatit Teknik.
Me synimin për të bashkëndërtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, kjo tryezë ka një rol këshillues dhe shërben si një hapësirë konsultimi mes aktorëve shtetërorë dhe shoqërisë së gjerë. Ajo synon të mbledhë, në mënyrë të strukturuar, kontributin dhe mendimin e aktorëve kyç të shoqërisë shqiptare për fushat që lidhen me reformat në administratën publike, në zbatim të vizionit të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Kush mund të aplikojë?

Media

Pushteti vendor

Komuniteti i biznesit

Shoqatat e punëmarrësve

Bota akademike dhe qendrat kërkimore

Grupe të tjera interesi

Si të aplikoni?
Plotësoni formularin e aplikimit duke përshkruar qartë përvojën dhe motivimin për të marrë pjesë në tryezë, dhe dërgojeni në adresën info@dap.gov.al, deri më 6 maj 2025.

Thirrje per Aplikim PPIE PAR

Format Shprehjeje Interesi

Mirëpresim aplikimin tuaj!