Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Shqipëria ka bërë një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, duke u pranuar si vëzhguese në Rrjetin Evropian të Administratës Publike (EUPAN). Ky njoftim u bë gjatë takimit të nivelit të lartë të mbajtur në Budapest më 28-29 nëntor, organizuar në kuadër të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në emër të qeverisë Shqiptare, Shefja e Stafit të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Fotjona Taçe përshëndeti takimin dhe vendimin pozitiv, duke e vlerësuar pranimin e Shqipërisë në EUPAN si një mundësi të artë për të forcuar bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së dhe për të ndarë përvojat në reformimin dhe modernizimin e administratës publike. Znj. Taçe theksoi veçanërisht se ky hap i rëndësishëm konfirmon angazhimin e qeverisë Shqiptare për t’u afruar edhe më shumë me standardet evropiane dhe për të forcuar institucionet tona në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.

Përgjatë takimit 2-ditor, Drejtoresha e Inovacionit pranë AKSHI-t, Znj. Romina Kostani, prezantoi për partnerët e Rrjetit avancimin transformues të Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale me synim rritjen e efikasitetit të administratës publike dhe përshpejtimin e proceseve teknike përgjatë fazës negociuese me BE-në.

Rrjeti EUPAN është platforma kyçe e Bashkimit Evropian për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe promovimin e inovacionit në administratën publike në nivel evropian. Shqipëria aplikoi për statusin e vëzhguesit në qershor të këtij viti si një hap strategjik për të thelluar përfshirjen e saj në rrjetet dhe mekanizmat evropianë që mbështesin integrimin dhe reformat.