Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ishte pjesë e delegacionit zyrtar nga Shqipëria që mori pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut në Vatikan, të kryesuar nga Presidenti i Republikës Z. Bajram Begaj.
Shërbesa e Meshës së Shenjtë u mbajt përpara Bazilikës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Presidenti Begaj iu bashkua ceremonisë krahas udhëheqësve botërorë së bashku me delegacionin shtetëror të përbërë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, znj. Majlinda Frangaj.
Papa Françesku kishte një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Në shtator të vitit 2014, ai vizitoi vendin tonë, duke sjellë mesazhe shprese dhe afërsie për popullin shqiptar. Vetëm dy vite më pas, më 4 shtator 2016, Papa Francesku shpalli Shenjtore Nënë Terezën, krenarinë tonë kombëtare.
Po atë vit, më 5 nëntor, ai firmosi dekretin për lumnimin e 38 martirëve shqiptarë të komunizmit, duke nderuar sakrificën dhe besimin e tyre.