Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, mori pjesë në Samitin e VI-të të Komunitetit Politik Evropian, i cili u zhvillua për herë të parë në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes së diplomacisë evropiane dhe dialogut politik ndërkombëtar.
Nën moton “Një Evropë e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, samiti mblodhi 47 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa, përfshirë liderë të vendeve anëtare të BE-së, si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera. Në samit morën pjesë gjithashtu përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane, përfshirë Presidentin e Këshillit Evropian, z. António Costa, Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, dhe Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Rutte etj.
Ministrja Pirdeni ishte pjesë e delegacionit shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, në një sërë takimesh të nivelit të lartë me krerë shtetesh dhe qeverish, ku u trajtuan çështje të rëndësishme për të ardhmen e Evropës dhe rajonit.
Ministrja Pirdeni mori pjesë në takimet dypalëshe me: z. Antonio Costa, President i Këshillit Evropian; z. Petteri Orpo, Kryeministër i Finlandës; Lartmadhërinë e Tij Albertin II, Princ Sovran i Monakos; z. Christian Stocker, Kancelar i Austrisë; z. Nikos Christodoulides, President i Qipros; z. Dick Schoof, Kryeministër i Holandës; z. Bart de Wever, Kryeministër i Belgjikës. Gjithashtu, Ministrja Pirdeni ishte pjesë e delegacionit që mori pjesë në seancën plenare të Samitit si dhe në tryezën e rrumbullakët me temë: “Një Evropë për 600 milionë: Rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë evropiane përmes inovacionit dhe reziliencës”.
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian çeli sesionin e parë të punimeve me pjesëmarrjen e liderëve evropianë, të cilët pas ceremonisë së mikpritjes dhe fotos familjare u drejtuan në “Shtëpinë e Evropës” të ndërtuar enkas në sheshin “Skënderbej”, dhe të zbukuruar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, e cila u kthye në simbolin e bashkimit për “një Evropë të re në një botë të re”.
Kryeministri Rama drejtoi punimet e seancës plenare, ku theksoi rëndësinë historike të këtij samiti për Shqipërinë dhe rajonin, duke e cilësuar si një moment krenarie dhe përgjegjësie për vendin. Gjithashtu Kryeministri Rama shprehu angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në ndërtimin e një Evrope më të bashkuar dhe më të fortë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë si vend mikpritës i këtij samiti të rëndësishëm evropian është një dëshmi e përparimit në rrugën drejt integrimit evropian dhe një sinjal i qartë i rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi po luan në skenën ndërkombëtare.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian është një iniciativë e Presidentit francez Emmanuel Macron, e cila filloi pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të BE-së dhe atyre që nuk janë pjesë e unionit.