Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsinin Znj. Adea Pirdeni zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe me akademikë për të diskutuar Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030. Ministrja Pirdeni prezantoi vizionin, objektivat politikë dhe risitë e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni teksa renditi risitë që sjell Strategjia Kundër Korrupsionit u shpreh se miratimi i saj do të garantojë vijueshmërinë e ndërhyrjes me masa sistemike për një vend pa korrupsion dhe një shoqëri në të cilën vlerat si integriteti, transparenca dhe përgjegjësia udhëheqin veprimet e qytetarëve dhe performancën e institucioneve.

“Qëllimi madhor i strategjisë është jo vetëm që të reflektojë mbi arritjet por dhe mbi mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe kohe të zbatimit të strategjisë së mëparshme. Qëllimi ështe gjithashtu të thellohet lufta kundër korrupsionit me një fokus shumë më të qartë. Gjithashtu e rëndësishme është që të gjithë objektivat e kësaj strategjie janë tërësisht të linjëzuara me kuadrin ndërkombetar dhe proceset integruese të vendit.

Një nga risitë kryesore kanë fokus të përqëndruar në ato që konsiderohen si sektorët vulnerabël ndaj korrupsionit përfshirë këtu pronat, tatimet dhe doganat, shëndetësia, arsimi dhe në nivel horizontal prokurimet publike dhe kontratat publike. Kjo strategji shpërndahet gjithashtu në fakt në mënyrë kapilare në një linjë me institucionet e qeverisjes vendore ku prioritet do të jetë forcimi i mekanizmave të parandalimit të korrupsionit. Gjithashtu në mënyrë të veçantë strategjia promovon për herë të parë elementë të integritetit në sektorin privat.

Gjatë fjalës ministrja Pirdeni shtoi se pjesë e strategjisë është përgatitja e një brezi të ri qytetarësh të ndërgjegjësuar e për këtë qëllim po bëhen përpjekje për t’i brumosur fëmijët dhe të rinjtë që në bangat e shkollës me edukimin ligjor për integritet dhe edukimin kundër korrupsionit.

“Që në moshë të hershme është e domosdoshme të flitet tek fëmijët se cfarë do të thotë të jesh njeri me integritet dhe të kesh vlera që të dallohesh si qytetar i mirë. Ne duam që te rinjtë të angazhohen në mënyrë proaktive në luftën kundër korrupsionit. Së bashku me Ministrin e Arsimit dhe Sportit po angazhohemi për rishikimin e Kurrikulës së Integritetit për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët (klasa e parë deri në klasën e nëntë), që do të realizohet në bashkëpunim dhe me Këshillin e Evropës. Ne do të sigurohemi që kjo Kurrikul të zbatohet duke filluar nga viti 2025, pra duke filluar nga viti shkollor i ardhshëm. Do të kujdesemi që dhe mësuesit të trajnohen në këtë drejtim” u shpreh ministrja Pirdeni.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionit Znj. Adea Pirdeni falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në këtë proces të rëndësishëm. Sakaq, pjesëmarrësit gjatë takimit konsultativ ndanë mendimet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, duke kontribuar me ide dhe propozime konkrete për strategjinë e re, e cila është në proces konsultimi publik.