Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Samiti i Komunitetit Politik Evropian, mbajtur në Budapest, mblodhi mbi 47 delegacione nga mbarë Evropa dhe vendet fqinje, duke përfshirë Presidentin e Ukrainës, Z. Volodymyr Zelensky dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Z. Mark Rutte.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj.Adea Pirdeni, ishte pjesë e delegacionit të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

Samiti i pestë i Komunitetit Politik Evropian kishte në fokus tema të rëndësishme, përfshirë situatën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe sfidat që lidhen me sigurinë ekonomike dhe migracionin e parregullt në Evropë. Diskutimet ndërmjet liderëve evropianë theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushat e energjisë, transportit, teknologjisë së informacionit dhe tregtisë. Në këtë kontekst, liderët nënvizuan nevojën për një bashkëpunim të qëndrueshëm transatlantik, duke theksuar rëndësinë e aleancës ndërmjet Evropës dhe partnerëve të saj për të adresuar sfidat rajonale dhe globale.

Pas samitit, Kryeministri hungarez Z. Viktor Orban dhe Kryeministri shqiptar Z.Edi Rama mbajtën një konferencë për mediat.
Me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, u njoftua se samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian do të organizohet në Tiranë në gjysmën e parë të vitit 2025. Shqipëria mirëpret mundësinë për të mikpritur liderët evropianë dhe për të kontribuar në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit në kontinent.

Komuniteti Politik Evropian, i themeluar në vitin 2022, është një platformë që synon forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike midis vendeve evropiane dhe partnerëve të tyre. EPC ofron një forum për të gjetur zgjidhje të përbashkëta ndaj sfidave me të cilat përballen vendet e kontinentit, si dhe për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve partnere.