Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në zbatim të pikave 8, 9 dhe 10, të kreut II, të vendimit nr. 118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, të ndryshuar, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin shpall thirrjen për shprehjen e interesit për të qenë anëtarë të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për TND-në.
Pozicione vakante në Komisionin Kombëtar të Përzgjedhjes-në për TND-në – 3

Afati i aplikimit – 10 korrik 2025

Kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere:

a) të ketë mbaruar arsimin e lartë;
b) të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në funksione publike në nivele drejtuese, ose të ketë qenë pjesë e personelit akademik të arsimit të lartë apo Akademisë së Shkencave, ose të ketë titull/gradë shkencore;
c) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
ç) të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet pararendëse nga data e kandidimit;
d) të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
dh) të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.

Të interesuarit duhet të dërgojnë pranë zyrës së Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (Rruga Kavajës, ish-godina e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”), kërkesën dhe dokumentacionin si vijon:

a) diplomë e shkollës së lartë;
b) jetëshkrim (CV);
c) vërtetim nga vendi aktual i punës ose ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore;
ç) vërtetim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka kandiduar në zgjedhje të përgjithshme apo vendore nën siglën e një partie politike në zgjedhjet që përfshijnë periudhën e 3 (tre) viteve të fundit;
d) dëshmi penaliteti;
dh) deklaratë personale që nuk ka qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet e fundit;
e) deklaratë personale që nuk ka lidhje nepotike apo konflikt interesi me anëtarët e TND-së;
ë) dokumentacion tjetër shtesë, si tituj/gradë akademike, artikuj shkencorë, botime etj.