Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj, Adea Pirdeni, kryesoi delegacionin shqiptar në punimet e “Kongresit Botëror të Ligjit 2025” në Santo Domingo. Delegacioni shqiptar, përbëhej nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme qeveritare dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, foli në forumin “Roli i gruas në konsolidimin e sundimit të ligjit”, ku u ndal gjerësisht te roli i pazëvendësueshëm i grave dhe vajzave në forcimin dhe garantimin afatgjatë të reformave shtetndërtuese në Shqipëri. Nga reforma e paprecedentë në drejtësi, te rritja e përfaqësimit në pozicione kyçe të vendimmarrjes, e deri te çuarja përpara e projektit historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha ministrja Pirdeni, gratë dhe vajzat përfaqësojnë forcën transformuese që po e ndryshon Shqipërinë.
Sakaq, Shefja e Kabinetit, Znj. Fotjona Taçe, mori pjesë në forumin “Inovacionet në praktikën e ligjit dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale”, ku theksoi se drejtësia dhe ligji po riformësohen nga teknologjia, dhe se Shqipëria mbetet në vijën e parë të inovacionit në praktikën ligjore. Më tej shtoi se në aleancë të ngushtë me Inteligjencën Artificiale, vendi ynë po dizajnon modelin e parë europian të prokurimit publik. Njëkohësisht, Shqipëria po përafron me shpejtësi të paprecedentë dhe me një reduktim të ndjeshëm të kostove, legjislacionin kombëtar me atë të Bashkimit Europian.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse të “Kongresit Botëror të Ligjit 2025”, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë një mesazh përshëndetës, me rastin e organizimit të Kongresit Botëror të Ligjit 2027 në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria është përzgjedhur të organizojë Kongresin në 2027 pasi ka vërtetuar në historikun e reformave të veta që është vend i palëkundur drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës.
Kongresi Botëror i Ligjit 2025, një nga ngjarjet më prestigjioze në fushën e drejtësisë, bëri bashkë në Santo Domingo, liderë globalë, gjyqtarë të gjykatave më të larta ndërkombëtare dhe kombëtare, politikanë, akademikë, aktivistë dhe profesionistë të tjerë të drejtësisë nga mbi 70 vende të botës për të diskutuar mbi çështje të rëndësishme ligjore dhe globale.
Tirana do të mirëpresi edicionin e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027. Më shumë se 3 mijë juristë, përfaqësues nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore nga e gjithë bota, do të mblidhen në kryeqytetin shqiptar për të marrë pjesë në forumin më të madh global kushtuar sfidave dhe të ardhmes së shtetit të së drejtës.