Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni mori pjesë në forumin e nivelit të lartë, “Forumin e Shërbimit Publik të Kombeve të Bashkuara”, i organizuar nga Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Sociale (UN DESA, me temë: “Pesë vite deri në 2030”: Përshpejtimi i Shërbimeve Publike për një të Ardhme të Qëndrueshme, në qytetin e Samarkandit, në Republikën e Uzbekistanit.
Ministrja Pirdeni ishte pjesë e panelit “Transformimi i Sektorit Publik për një të Ardhme të Qëndrueshme”, një diskutim në nivel të lartë ministror që adreson sfidat dhe mundësitë për ndërtimin e një administrate publike moderne, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt qytetarëve, në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).
Në fjalën e saj, ministrja Pirdeni prezantoi reformat që po ndërmerr Shqipëria për një administratë më efiçente me në qendër qytetarin dhe infrastrukturë publike digjitale që afron institucionet me njerëzit.
“Nga qeverisja digjitale tek inteligjenca artificiale për integrimin evropian, po mundohemi të tregojmë se edhe vendet e vogla mund të shtyjnë përpara projekte ambicioze,” tha ministrja gjatë fjalës së saj.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum ndërkombëtar vjen si një dëshmi e angazhimit të vendit tonë për reforma të thella në administratën publike, transparencë, digjitalizim dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Forumi shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira midis vendeve pjesëmarrëse dhe institucioneve partnere.
Forumi i Shërbimit Publik të Kombeve të Bashkuara, u përqëndrua kryesisht në nxitjen e inovacionit dhe transformimit në sektorin publik, me synimin për të forcuar kapacitetet aktuale dhe të ardhshme të administratave publike.
Gjatë tri ditëve të Forumit të Shërbimit Publik të Kombeve të Bashkuara, u zhvilluan seanca plenare, tryeza ministrore dhe një sërë ëorkshop-e tematike të fokusuara në krijimin e një mjedisi mundësues për inovacion në sektorin publik, përmirësimin e qeverisjes digjitale, forcimin e lidershipit transformues, menaxhimin strategjik të të dhënave publike, përfshirjen e qytetarëve në hartimin e politikave dhe përgatitjen e administratës për sfidat që sjell epoka e inteligjencës artificiale.
Forumi i Shërbimit Publik të Kombeve të Bashkuara organizohet çdo vit nga Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale i OKB-së (UN DESA).