Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Presidentja e Komisionit Europian, Znj. Ursula von der Leyen nisi turin e saj ballkanik nga Shqipëria ku u mikprit nga Kryeministri Edi Rama. Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni ishte pjesë e delegacionit shqiptar që mirëpriti Presidenten e Komisionit Evropian.

Pas takimit kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku u konfirmuan përpjekjet që Shqipëria ka demonstruar për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidentja e KE von der Leyen tha gjatë fjalës se ekipi shqiptar negociator ka bërë një punë të shkëlqyer për agjendën e reformave të përcaktuar nga Bashkimi Evropian ku theksoi se Shqipëria do të përfitojë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor mbi 920 milionë euro.
“Ju dhe ekipi juaj keni bërë një punë të shkëlqyer për axhendën e reformave. Tani duhet të fillojmë edhe me parafinancimin prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit. Pra, cilësia e planit të reformave është e mirë, kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milion euro nga Plani i Rritjes.

Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultatet konkrete të tjera. Për shembull ju jeni në rrugën e duhur për tu bërë pjesë e zonës unike të pagesave në euro që prej vitit të ardhshëm. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që transfertat në para mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të jenë më të shpejta më të sigurta dhe falas. Pra një përfitim shumë i madh, si për qytetarët tuaj ashtu edhe për bizneset shqiptare,” tha von der Leyen.

Pas konferencës për shtyp, kryeministri Rama dhe Presidentja e Komision it Evropian von der Leyen morën pjesë në ceremoninë hapëse të vitit akademik në Kampusin Jacques Delors të Kolegjit të Europës në Tiranë. Ky kampus, i cili mban emrin e politikanit të shquar francez, ish-Presidentit të Komisionit Europian Jacques Delors, ofron një program akademik të standardeve evropiane për studentët nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.

Më datë 24 tetor, Presidentja e KE von der Leyen takoi Presidentin e Shqipërisë, Z. Bajram Begaj, të cilin e falënderoi për angazhimin personal për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përveç Shqipërisë, në kuadër të turit Ballkanik von der Leyen vizitoi edhe Republikën e Kosovës, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.