Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Shqipëria hapi zyrtarisht grupkapitullin e parë “Themeloret” në konferencën e dytë ndërqeveritare për integrimin në Bashkimin Evropian.
Takimi i mbajtur në Luksenburg shënon një moment të rëndësishëm për rrugëtimin integrues të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, miratuar nga Unioni në vitin 2020.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga Kryeministri Z. Edi Rama, me prezencën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Igli Hasani, Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatorja Znj. Majlinda Dhuka, të shoqëruar nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përkatës të grupkapitullit të parë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Z. Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Z.Olivér Várhelyi.

Takimi shërbeu për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin e parë “Themeloret” duke përfshirë fushat dhe kapitujt negociues: Funksionimi i institucioneve demokratike, Reforma e administratës publike, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Drejtësia, liria dhe siguria, Kriteret ekonomike, Prokurim Publik, Satistikat dhe Kontrolli financiar.

Hapja e negociatave për këta kapituj do të përcaktojë ritmin dhe progresin e reformave të mëtejshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpejtësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, kapitujt e negociatave janë të ndarë në gjashtë grupime tematike: Grupkapitujt Themelorë, Tregu i Brendshëm, Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, Agjenda e Gjelbër dhe Lidhja e Qëndrueshme, Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka nisur me dorëzimin e aplikimit për anëtarësim më 24 prill 2009. Në tetor të vitit 2012, Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në varësi të përmbushjes së reformave kyçe.