Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, ka zhvilluar disa takime bilaterale me ministrat e rajonit, në kuadër të takimit Rajonal të Ballkanit Perëndimor për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur.

Gjatë një takimi me ministrin e Administratës Publike të Maqedonisë së Veriut, z. Goran Minçev, u diskutua për rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira mes administratave publike të dy vendeve.

Të dy palët nënvizuan se bashkëpunimi për qeverisje të hapur është një hap thelbësor për ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve, duke kontribuar gjithashtu në përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit.

Në takimin me ministren e Administratës Publike dhe Qeverisjes Vendore të Serbisë, znj. Jelena Zariç Kovaçeviç, u theksua rëndësia e forcimit të kapitalit njerëzor në administratën publike dhe mundësitë për bashkëpunim përmes projekteve të përbashkëta që synojnë krijimin e një administrate më transparente dhe efikase. Në të dyja takimet, ministrja Pirdeni vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në administratën publike janë elemente thelbësore, jo vetëm për t’u shërbyer më mirë qytetarëve, por edhe për të avancuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, e cila është anëtare e OGP-së që prej themelimit të iniciativës nga viti 2011, ka zhvilluar dhe zbatuar gjashtë Plane Kombëtare Veprimi, të cilat përfshijnë një numër angazhimesh për rritjen e transparencës, thellimin e luftës kundër korrupsionit, përmirësimin e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe garantimin e shërbimeve publike gjithëpërfshirëse.

Eventi i rëndësishëm rajonal i cili mbylli punimet më 15 nëntor u organizua nga ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me OGP dhe Shkollën Rajonale Evropiane të Administratës Publike (ReSPA), me qëllim promovimin e integritetit dhe transparencës institucionale, për të fuqizuar pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje, dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja drejt forcimit të qeverisjes llogaridhënëse.