Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Nën drejtimin e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, njëherazi Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, Znj. Adea Pirdeni, u zhvillua takimi i radhës i Ekipit Tematik Antikorrupsion. Në këtë takim morën pjesë anëtarët e ekipit, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi të huaja, organizata të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të institucioneve publike me rol kyç në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030.
Takimi shënoi një moment të rëndësishëm, pasi u miratua Raporti i Monitorimit për vitin 2024. Diskutimet u fokusuan në vlerësimin e progresit të arritur dhe sfidat që duhen adresuar për të garantuar një qasje të qëndrueshme dhe të matshme në luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e saj, ministrja Pirdeni vlerësoi përfshirjen aktive të 35 institucioneve publike dhe përkushtimin e tyre në zbatimin e Planit të Veprimit për vitin 2024.
Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 paraqet një qasje të avancuar dhe standarde të harmonizuara me acquis të BE-së, përmes forcimit të planeve të integritetit, vlerësimit të riskut të korrupsionit, kontrollit të përdorimit të buxhetit publik dhe standardizimit të instrumenteve të transparencës dhe llogaridhënies.
Përkundër progresit të arritur, Raporti evidenton edhe sfida që mbeten për t’u adresuar në vitin 2025, si nevoja për avancimin e reformave ligjore dhe thellimi i analizës së riskut të korrupsionit në të gjithë sektorët vulnerabël.
Në përfundim të takimit, ministrja Pirdeni falënderoi të gjitha institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë për angazhimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një baze të qëndrueshme për zbatimin afatgjatë të strategjisë.
Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit prezantoi të dhënat analitike dhe statistike të Raportit të Monitorimit të Strategjisë Antikorrupsion për vitin 2024.