Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ka raportuar në seancën dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike gjatë vitit 2023 para Nënkomisionit për Administratën Publike.
Gjatë fjalës së saj në seancën dëgjimore ministrja Pirdeni theksoi se viti 2023 ka qenë i shenjuar nga disa momente kyçe për Administratën Publike.

“Pika e parë ku do të doja të ndalesha është Reforma në Administratën Publike. Siç e dini, reforma e administratës publike është jo vetëm një prioritet i qeverisë shqiptare, por edhe një kërkesë e Bashkimit Evropian, si domosdoshmëri për rrugëtimin evropian të vendit. Në këtë drejtim, një ndër arritjet kryesore për vitin 2023 ka qenë pikërisht Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike, ku gjatë vitit 2023 u ndërmorën një serë masash për hartimin e strategjisë së re 2023 – 2030. Aktualisht është përgatitur draft dokumenti narrativ i strategjisë në të cilin është përcaktuar vizioni, qëllimet politike, objektivat specifike dhe masat për periudhën në vijim. Pritet që strategjia të miratohet brenda vitit 2024.

Në hartimin e kësaj strategjie, padyshim kemi patur edhe mbështetjen e pakursyer të Bashkimit Evropian në të gjitha drejtimet. Pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, në Korrik 2022, si dhe takimeve të zhvilluar në Bruksel në Shtator dhe Dhjetor 2022, Komisioni Evropian publikoi raporti screening (20 korrik 2023), me gjetjet dhe rekomandimet kryesore për reformën e administratës publike.

Gjithashtu, vijoi Pirdeni, me qëllim konkretizimin e këtyre detyrimeve përgjatë 2023 ka qenë strategjia ndërsektoriale e reformës në administratën publike. “Në këtë kuadër, ndër arritjet e vitit 2023 mund të përmendim: Duke filluar nga muaji Prill 2023 u bashkërendua puna nga ana e negociatorit përgjegjës për RAP-in me institucionet përgjegjëse për hartimin e udhërrëfyesit, i cili është një dokument politik që mbështet reformën në administratën publike, me një plan masash prioritare, për periudhën kohore 2023 – 2030.
U përcaktuan masat prioritare të organizuara në 5 shtylla, bazuar në parimet e Bashkimit Evropian mbi administratën publike: (i) Zhvillimi dhe koordinimi i politikave; (ii) Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; (iii) Organizimi i administratës publike, llogaridhënia dhe transparenca; (iv) Ofrimi i shërbimeve ndaj publikut; (v) Menaxhimi i financave publike. Këto masa u konsultuan me grupet e interesit, shoqërinë civile, si dhe në regjistrin elektronik të konsultimit publik. U miratua me VKM-në nr. 737, datë 13.12.2023, Udhërrëfyesi për Reformën në Administratën Publike 2023 – 2030. Filloi puna për detajimin e masave të parashikuara në këtë dokument, në një plan konkret veprimi në kontekstin e kuadrit strategjik të Reformës në Administratën Publike. Këtë proces e kemi kaluar me shumë sukses dhe dëshmon përgatitjen e të gjithë kolegëve për të qenë në lartësinë e duhur që kërkon ky process,” tha Pirdeni.

Moment i rëndësishëm gjatë vitit 2023, ishte nisja e reformës së pagave që është ende në vazhdim e sipër “U miratua ligji nr. 35/2023, që përcakton kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe për pagën bazë minimale në shkallë vendi. Nëpërmjet miratimit të këtij ligji: (i) u krijua një kuadër rregullator i konsoliduar për kompetencat e caktimit të pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të tjera të të punësuarve në administratën publike; (ii) të punësuarve të administratës publike u njihet e drejta edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, përveç pagës dhe shpërblimit për rezultate në punë; (iii) i jepet zgjidhje nevojës për të siguruar pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit. U miratua ligji nr. 34/2023, nëpërmjet të cilit u realizua: (i) përcaktimi i raporteve të drejta të pagës së titullarëve të institucioneve të pavarura dhe funksionarëve politikë, me pagën e Presidentit; (ii) rritja e pagës për titullarët e institucioneve kushtetuese e të pavarura dhe të institucioneve të tjera të pavaruara të krijuara me ligj në masën 35 – 95%. U rrit paga minimale në shkallë vendi dhe pagat e punonjësve të tjerë mbështetës në masën 9.3% – 17.65%. U realizua reforma e elementëve përbërës të pagës bruto mujore për nëpunësit civilë dhe nëpunësit të tjerë me të njëjtën strukturë page, si dhe u rritën pagat e tyre në masën 15% – 46%. U rritën pagat për titull/gradë/kategori, për punonjësit e personelit akademik në institucionet Publike të Arsimit të Lartë, nëpërmjet rritjes së kufijve minimalë mesatarisht me 20% dhe të kufijve maksimalë mesatarisht me 30%. U rritën pagat e shërbimit diplomatik në masën mesatarisht 20%. U rritën pagat e punonjësve në institucionet e shërbimit shëndetësor: (i) në masën 50000 lekë për mjekët e specialiteteve dhe; (ii) 7% për pjesën tjetër të punonjësve. U rritën pagat për Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardën e Republikës, arsimin parauniversitar, pushtetin vendor dhe punonjës të tjerë të administratës publike në masën 7% – 10% etj. Ashtu siç edhe pritej, rritja e pagave ka patur impakt të drejtpërdrejtë jo vetëm në motivimin e stafeve, por edhe në konkurrueshmërinë e administratës publike në raport me sektorin privat,” tha ministrja Pirdeni gjatë fjalës së saj në seancën dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së DAP gjatë vitit 2023