Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, ishte pjesë e delegacionit të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama në Forumin Strategjik të Bledit 2024, i mbajtur në qytetin Bled, Slloveni.

Tema kryesore e Forumit Strategjik të Bledit 2024 ishte “Një Botë me Realitete Paralele.” Diskutimet u përqendruan në çështje kritike për rajonin, si siguria, qëndrueshmëria, ndryshimet klimatike, të drejtat e njeriut dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për bashkëpunim dhe dialog për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme në një kohë kur bota përballet me konkurrencë, pasiguri dhe konflikte.

Në panelet e organizuara, u diskutua roli i Bashkimit Evropian në përballimin e sfidave globale. Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për një politikë të jashtme më të unifikuar për të adresuar konfliktet dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Synimi ishte avancimi i integrimit të rajonit në BE dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik.

Forumi Strategjik i Bledit u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Slloveninë, e cila është zgjedhur si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2024-2025.