Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni mori pjesë në Forumin Global të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për Ndërtimin e Besimit dhe Forcimit të Demokracisë me vendet e Partneritetit Lindor që u zhvillua më 21-22 tetor në Milano, Itali.

Në forum u bënë bashkë ministra të vendeve anëtare të OECD-së, politikëbërës të nivelit të lartë, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e besimit të publikut.

Gjatë Forumit Global të OECD-së për Ndërtimin e Besimit dhe Forcimin e Demokracisë, ministrja Pirdeni prezantoi një pasqyrë gjithëpërfshirëse të përpjekjeve që bën qeveria shqiptare për avancimin e reformave thelbësore me fokus të vecantë në rëndësinë e zbatimit të tyre për të ndërtuar institucone më të forta dhe të besueshme.

Ministrja Pirdeni vuri theksin tek reformat transformuese që ka ndërmarrë Shqipëria, me në krye Reformën në Drejtësi, për të krijuar institucione të qëndrueshme, por edhe të besueshme.

“Pavarësisht se rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor përballen me një presion gjeopolitik të ndryshëm, bashkërisht ndajmë disa nga sfidat e konsolidimit të institucioneve dhe thellimit të reformave që sjellin standardet evropiane në vendet tona,” theksoi Pirdeni.

Në diskutimet e forumit u trajtuan gjithashtu çështjet kritike të rritjes së polarizimit në shoqëritë moderne dhe rëndësinë e promovimit të dialogut social si një mjet për të avancuar reformat demokratike të nevojshme për të ardhmen e demokracive në mbarë botën.