Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministrja Pirdeni paraqiti sot para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në Kuvendin e Shqipërisë, Raportin vjetor të Departamentit të Administratës për vitin 2025.

Ministrja Pirdeni nënvizoi se ky raportim zhvillohet 2 javë pas vendimit pozitiv të Brukselit për Raportin IBAR të Shqipërisë, i cili konfirmon përmbushjen e kënaqshme të kushteve të ndërmjetme për grupkapitullin e Themeloreve. Këshilli i Bashkimit Evropian ka vlerësuar në mënyrë të posaçme kuadrin e konsoliduar strategjik në fuqi për reformën në administratën publike, veçanërisht Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike dhe Strategjinë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Financave Publike. Vlerësim i veçantë i është dhënë reformës gjithëpërfshirëse të pagave në sektorin publik, përfshirë në nivelin e vetëqeverisjes vendore, e konsideruar si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së atraktivitetit dhe profesionalizmit të administratës publike.
Ministrja Pirdeni u shpreh se rezultatet e veprimtarisë së DAP për vitin 2025 dëshmon një administratë publike më profesionale, më të qëndrueshme dhe më tërheqëse për talentin.

Viti 2025 shënoi hapa të rinj drejt një administrate më profesionale, më efikase dhe më tërheqëse për talentet:

* Miratimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike 2025–2030.
* Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të pagave në sektorin publik, përfshirë edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
* Avancimi i digjitalizimit të menaxhimit të burimeve njerëzore përmes sistemit HRMIS.
* Rritja e interesit për administratën publike, me numrin mesatar të aplikantëve për pozicion që u rrit nga 17.5 në 20.
* Zgjerimi i programeve të formimit profesional dhe trajnimit përmes ASPA-s.