Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionit Znj.Adea Pirdeni mori pjesë në Konferencën Shkencore Kombëtare “Legjislacioni shqiptar në procesin e integrimit evropian. Roli i institucioneve midis sfidave për përafrimin”, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Kjo konferencë, e cila u zhvillua në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, mblodhi së bashku akademikë, studiues, përfaqësues të institucioneve publike dhe studentë për të diskutuar mbi sfidat dhe përparësitë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Pirdeni ndau mendime me pedagogë e studentë,për hapat që po ndërmerr vendi për të përshpejtuar reformat e agjendës sonë evropiane.
Gjatë konferencës, u trajtuan tema të ndryshme, përfshirë: Harmonizimi i legjislacionit shqiptar me acquis communautaire; Kontrolli kushtetues dhe roli i tij në procesin e integrimit europian të Shqipërisë; Roli i institucioneve në procesin e integrimit dhe për përafrimin e legjislacionit; Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë; Iniciativa e Bashkimit Evropian për shtetin e së drejtës në Ballkanin Perëndimor; Procesi i integrimit në BE dhe hapja e negociatave për anëtarësim dhe Shteti i së drejtës dhe Reforma në Drejtësi 2016.
Konferenca Shkencore Kombëtare “Legjislacioni shqiptar në procesin e integrimit evropian. Roli i institucioneve midis sfidave për përafrimin” nxiti bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre shtetërore në procesin e integrimit europian.