Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në Ditën Ndërkombëtare të Antikorrupsionit, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, mori pjesë në prezantimin e projektit ndërgjegjësues “Kronikat e Integritetit”.

Ky projekt u realizua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Byronë e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe Meridian International Center. E pranishme në takim ishte edhe znj. Nancy VanHorn, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ministrja Pirdeni vuri në dukje rëndësinë e ndërgjegjësimit për luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë aktivitet si një element të rëndësishëm të përfshirë në “Javën e Integritetit,” e cila ka mbledhur bashkë organizata, institucione, media, shoqëri civile dhe qytetarë, për të promovuar rëndësinë e integritetit në të gjitha nivelet.

Ministrja nënvizoi se integriteti është më shumë sesa politika dhe procedura; ai është një vlerë që duhet të mishërohet nga çdo individ. Ajo vuri në pah reformat e thella që janë ndërmarrë për transformimin e administratës publike, përfshirë modernizimin përmes inovacionit, promovimin e meritokracisë dhe iniciativat e trajnimit për rritjen e kapaciteteve të stafit.

Ndër iniciativat kryesore të përmendura gjatë aktivitetit ministrja Pirdeni përmendi Programin e Ekselencës, që ka sjellë mbi 500 të rinj të shkëlqyer në administratë, duke kontribuar në ngritjen e standardeve të integritetit; Kursi tashmë për gjithë administratëb “Hyrje në Parandalimin e Korrupsionit”; Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, që vendos ndërgjegjësimin dhe edukimin në qendër të luftës kundër korrupsionit.

Gjatë aktivitetit, ministrja Pirdeni dhe VanHorn diskutuan me studentët videot e projektit “Kronikat e Integritetit” me mesazhe shume të drejtpërdrejta për mundesinë që kemi të zgjedhin integritetin në vendimarrjen e përditshme.

Në mbyllje, ministrja Pirdeni ftoi të rinjtë dhe të gjitha palët e interesuara të vazhdojnë të kontribuojnë me ide dhe iniciativa që fuqizojnë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe transparente.