Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

I nderuar Shkëlqesi Z. Kryeministër Rama,
I nderuar Komisioner Dervishi,
Ministër Malaj,
Ambasador Gonzato,
Shkëlqesi Ambasadorë të përfaqësive partnere në vend,
Të dashur kolegë të angazhuar pranë institucioneve qendrore e vendore,
Kolegë të pushtetit gjyqësor, shoqërisë civile, akademisë, medias,

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit shumë që keni zgjedhur të na bashkoheni sot në këtë event që kulmon Edicionin VI të Javës së Integritetit. Nuk mund t’i shpëtoj një reflektimi të shkurtër retrospektiv, pasi ndihem krenare për rrugëtimin që kemi bërë bashkë me partnerët tanë, me Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë në krye të listës, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe shumë partnerëve të tjerë nga të gjitha sferat. Fillimisht nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, e tani nën ombrellën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në pak vite e kemi transformuar këtë javë në një praktikë shembullore: një platformë që çdo vit bëhet më e sofistikuar në diskutime, më e thellë në bashkëpunime dhe më e fuqishme në impakt.

Hera e fundit që u takuam së bashku në numër kaq të madh ishte Konferenca e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit në qershor të këtij viti, ku së bashku me Komisionerin bëmë një resume 360 gradë për gjendjen aktuale të transparencës në sektorin publik, si dhe reflektuam mbi nevojën për të adresuar problematikat kyçe që kanë lindur nga zbatimi i ligjit 119/2014.

Ndërkohë, jo më larg se një javë më parë, Indeksi i përditësuar i Transparencës nga Qendra Kërkimore Evropiane për Antikorrupsionin dhe Shtetndërtimin rikonfirmoi vlerësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator shqiptar në përmbushje 100% të standardeve ndërkombëtare, si dhe një rritje nga 73% në 78% për publikimin në praktikë të informacionit. Krahas progresit të matshëm në nivele të transparencës, këto shifra përforcojnë një të vërtetë të njohur: ligji i mirë është bazamenti, por zbatimi i tij rigoroz është çelësi për të garantuar qeverisjen e hapur që synojmë.

Megjithëse punojmë në fronte të ndryshme, vizioni i Shqipërisë në BE në vitin 2030 është emëruesi i përbashkët i punës sonë në këtë drejtim, dhe mbi të gjitha, i interesit që ndajmë për institucione më të hapura, të aksesueshme dhe transparente. Ndaj vendosëm që t’ia dedikojmë eventin final dhe më të madhin të të gjithëve për nga audienca rrugës së Shqipërisë drejt qeverisjes transparente në maratonën kërkuese, por edhe shpërblyese të punës për integrimin evropian.

Për këtë arsye, kemi ndezur motorët për zbatimin e Axhendës Kombëtare të Reformave në zbatim të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kjo iniciativë e nisur krenarisht nga Shqipëria vitin e kaluar dhe e dëgjuar në mënyrë të lavdërueshme nga Komisioni Evropian do t’i japë një tjetër ritëm edhe më dinamik qasjes së deritanishme të institucioneve për më shumë hapje. Mes 113 masave të ndryshme për 31 reforma në 5 shtylla madhore angazhimesh, kemi marrë përsipër në mënyrë eksplicite në Axhendën e Reformave edhe publikimin proaktiv të të dhënave buxhetore, krahas publikimit të deklaratave të pasurisë së të gjithë zyrtarëve publikë.

Megjithatë, vendosëm të shkojmë më larg sesa kaq, plotësisht në mbajtje të angazhimit të premtuar nga Kryeministri Rama në Konferencën Kombëtare të qershorit, për ngritjen e një mekanizmi edhe më gjithëpërfshirës. Vizioni ynë për këtë mekanizëm ishte që prej fillimit ai i një mjeti që jo vetëm do të ndihmojë realizimin e këtij angazhimi, si dhe adresimin e sfidave të hasura në praktikë për transparencën dhe të drejtën e informimit, por do ta ngrejë në një tjetër nivel hapjen institucionale, duke i dhënë një shtysë të pakthyeshme publikimit të informacionit zyrtar drejt proaktivitetit të stafeve tona.

Vendosëm ta optimizojmë këtë mekanizëm të ri, gjithnjë në garë me vetveten, por më e rëndësishmja, me synim kryesor efikasitetin e mjeteve që janë tashmë në dispozicion të publikut shqiptar, si dhe optimizimin e burimeve njerëzore që punojnë çdo ditë për qeverisjen e hapur, duke nisur nga Komisioneri si autoriteti qendror e më tej të gjitha autoritetet partnere.

Thënë kjo dhe pa u zgjatur më shumë, kam kënaqësinë që të paraqes sot për ju Transparent Albania, Shqipërinë Transparente, një iniciativë për të cilën më të mirët e stafeve tona nga zyra që unë drejtoj, nga Ministria e Financave, si dhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kanë punuar intensivisht në muajt e fundit;
mbi të gjitha, kjo është një nismë që si Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit e kemi shumë përzemër; kjo, pasi garanton jetëgjatësinë e përpjekjeve tona kundër korrupsionit, duke i kanalizuar nga dimensioni i shumëpërfolur i gjurmimit dhe ndëshkimit të praktikave korruptive në një trasé shumë më jetike: atë të promovimit të transparencës dhe publikimin proaktiv të informacionit mbi veprimtarinë që kryhet çdo ditë në zyrat e shtetit shqiptar.

Të gjitha informacionet dhe mekanizmat për marrjen e tyre janë aktualisht të aksesueshme në institucionet publike, por ato mund të aksesohen në një pjesë të madhe vetëm pas angazhimit të qytetarit apo biznesit për t’i pasur. Gjithashtu, edhe kultura e mirëmbajtjes dhe arkivimit të informacionit zyrtar në institucionet tona kërkon ende punë dhe mirëedukim, duke qenë një pengesë e konsiderueshme në këtë drejtim.

Parë në këtë kënd, risia e platformës së Shqipërisë Transparente do të jetë pikërisht funksioni i saj si një portë unike që do të mundësojë aksesin më të lehtë dhe më të shpejtë në një kategori të gjerë informacioni dhe mekanizmash pjesëmarrjeje të qytetarëve në politikëbërje.

Si fillim, transparenca buxhetore do të jetë kryefjala e kësaj platforme kryesore, në përputhje edhe me angazhimin tonë të marrë përsipër në Axhendën Kombëtare të Reformave. Buxheti për shpenzime kapitale do të jetë lehtësisht i lexueshëm për qytetarët dhe bizneset, përmes një pasqyre vizive grafike që do të informojë mbi financimin e buxhetit per vitin korrent duke e krahasuar edhe me vitet e kaluara; informacioni do të jetë i disegreguar në financim të brendshëm dhe të huaj, si dhe financim të dedikuar për çdo sektor. Secili qytetar do të mund të shkarkojë informacionin e kërkuar në formë tabelare.
Krahas të dhënave në nivel makro, qytetarët do të mund të informohen edhe mbi buxhetin e dedikuar dhe shpenzimet kapitale sipas Ministrive të linjës; ky informacion do të shoqërohet edhe me të dhëna mbi përqindjen e realizimit të buxhetit për shpenzime kapitale sipas secilës Ministrie.

Një tjetër kategori e informacionit do të jenë kontratat me financimin dhe realizimin më të lartë, si dhe lista e detajuar e projekteve qeveritare, për të cilat ka sigurisht dhe me të drejtë interes të lartë publik; për këtë arsye këtë kategori do ta popullojmë fillimisht me projektet e ndërmarra infrastrukturore, duke konsideruar impaktin e tyre të lartë te qytetarët.

Në platformën e Shqipërisë Transparente afërmendsh nuk mund të mungojnë pikërisht Programet e Transparencës, të cilat aktualisht po publikohen me një trend rritës nga çdo institucion dhe që tashmë do të jenë të aksesueshme në grup, duke lehtësuar edhe një vështrim krahasues mbi performancën e institucioneve të ndryshme në përmbushjen e këtyre detyrimeve.

Në misionin tonë për të qenë gjithnjë e më pranë qytetarit, një dritare e dedikuar në platformë do të pasqyrojë në mënyrë të përditësuar të gjitha aktet normative të Këshillit të Ministrave dhe Urdhrat e Kryeministrit, si produktet finale të vendimmarrjes dinamike qeveritare.

Gjithashtu, në frymën e garantimit të së drejtës kushtetuese për informim, platforma do të bëjë ndërlidhjen direkte të qytetarit me kontaktin e koordinatorëve të informimit për secilin institucion qendror; koordinatorët do të jenë lehtësisht të arritshëm për çdo kërkesë informacioni, duke shmangur nevojën e qytetarit për lundrimin e faqeve të dedikuara të ministrive dhe institucioneve të tjera.

Që me fillimin e punës për platformën, një ndër prioritetet tona kyçe ka qenë rritja e ndërgjegjësimit për përdorimin më të shtuar të konsultimit publik, si një mjet direkt për pjesëmarrjen e qytetarëve në bashkëbërjen e ligjeve dhe politikave me ta dhe për ta. Për këtë qëllim, Regjistri Elektronik për njoftimet dhe Konsultimet Publike do të jetë drejtpërdrejt i aksesueshëm nga platforma, duke lehtësuar lënien e komenteve për çdo projekt-akt që i nënshtrohet këtij procesi.

Dua të theksoj këtu sidomos se platforma nuk do të duplikojë në kurrfarë mënyre ndërfaqet apo mekanizmat ekzistuese, por do të ngrihet mbi informacionin e publikuar në to dhe do të shërbejë si një katalog unik që do të mund të shfletohet më në detaje me një klikim të thjeshtë në faqen zyrtare të institucionit apo mekanizmit përkatës.

Platforma do të lançohet në muajin Janar 2025, teksa ne do të punojmë edhe në javët në vijim për procesin paralel të përditësimit të të gjitha faqeve zyrtare të institucioneve publike si parakusht për funksionimin e platformës. Për këtë qëllim he për të maksimizuar plotësisht efikasitetin e kësaj nisme që në start, në javët që pasojnë do të angazhohemi në dialog të ngushtë me të gjithë ju në mirëpritje të çdo sugjerimi dhe propozimi për atë që ju vetë dëshironi të shihni të pasqyruar në fytyrën elektronike të Shqipërisë Transparente.

Jemi këtu me angazhimin maksimal që të përfitojmë sa më shumë nga ky bashkëpunim, nga i cili kam bindjen se do të dalim me impakt konkret dhe të prekshëm për të gjithë qytetarët, bizneset dhe grupet e interesit, në kursim të kohës së tyre dhe në lehtësim të navigimit mes shumë faqesh që shumë herë mund të bëhet tepër i komplikuar.

Në 10 vitet e fundit, jemi dëshmitarë se si e-Albania, porta e ofrimit të vetëm një grushti modest prej 14 shërbimesh online për vetëm 50.000 përdorues tashmë ofron 1247 shërbime që përbëjnë 95% të totalit të tyre, për 3.2 milionë përdorues, duke ndërlidhur 63 regjistra që mundësojnë plotësimin automatik të 68% të fushave të informacionit në formularët elektronikë të dokumentacionit të kërkuar nga qytetari.

Jam e bindur se shumë shpejt, dhe sigurisht falë komenteve tuaja shumë realiste dhe konstruktive platforma do të vijojë revolucionin dixhital, dhe do të bëhet pjesë integrale e navigimit në rrjet të çdo organizate të shoqërisë civile dhe çdo biznesi të interesuar. Mbi të gjitha, platforma do të jetë një aleat i çdo qytetari të angazhuar që kërkon të dijë në moment dhe me saktësi, pa shumë burokraci dhe gjuhë teknike, se ku shkojnë paratë e tij, se si bëhen politikat në emër të tij dhe se si institucioni publik punon për të, për të tashmen dhe për të ardhmen e përbashkët. Padyshim, kjo do të shtrojë terrenin për të fuqizuar edhe më shumë aktorët joshtetërorë në ushtrimin e së drejtës së tyre të kërkesës së llogarisë që ia njeh ligji.

Me Transparent Albania, synojmë që qytetari të ketë, në kuptimin më të parë të fjalës, shtetin të aksesueshëm dhe në pëllëmbë të dorës. Megjithatë, Shqipëria Transparente është shumë më shumë sesa një platformë; është vizioni për një ndryshim rrënjësor ku qytetari ndjehet pjesë aktive e qeverisjes. Në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, ndjenja e llogaridhënies për progresin dhe sfidat është përgjegjësi që ne, si shërbyes publikë, e ndiejmë çdo ditë. Kjo është rruga drejt standardeve moderne, drejt vlerave evropiane të shtetndërtimit dhe drejt një administrate që afron qytetarin me shtetin.

Standardet e Evropës ku synojmë të aderojmë kërkojnë më shumë besim në institucione, më shumë llogaridhënie, më shumë integritet për ta kthyer makinerinë tonë shtetërore nga makthin e dikurshëm të dyerve të mbyllura dhe sporteleve zhvatëse në një forcë pozitive transformuese për Shqipërinë – një Shqipëri që, megjithëse e vogël, synon të përmbushë pritshmëri të mëdha. Ndaj, po punojmë fort përmes kësaj platforme, përmes Javës së Integritetit dhe përmes dialogut gjithnjë e më të shpeshtë me të gjithë ju si partnerë për një Shqipëri me integritet që jo vetëm përmbush këto pritshmëri, por edhe frymëzon besim për të ardhmen e saj evropiane.

Faleminderit shumë!