Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

I nderuar Shkëlqesi Z. Kryeministër Rama,
Shkëlqesi Ambasador Gonzato
I nderuar Komisioner Dervishi,
E nderuar Znj. Avokate e Popullit.
Ministër Malaj,
Shkëlqesi Ambasadorë të përfaqësive partnere në vend,
Të dashur kolegë të institucioneve qendrore e vendore, shoqërisë civile, akademisë, medias,

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit shumë që keni zgjedhur të na bashkoheni sot këtë të premte në këtë event që bashkëorganizojmë me projektin BE për Mirëqeverisjen, event që kulmon Javën e Integritetit, një iniciativë që ka ka bërë bashkë shumë aktorë për të nxitur debatin e diskutimin mbi shumëçka mund të bëjmë për forcimin e integritetit. Përpos fjalëve hapëse do të kemi dy panele diskutimi sot që do të fokusohen tek diskutimi ku në të parin do të kemi një panel me ekspertë ndërkombëtar të mirëqeverisjes dhe transparencës nga BE dhe Transparency International, sikurse më pas do të diskutojmë me kolegë të nderuar të shoqërisë civile shqiptare mbi forcimin e transparencës proaktive.

Hera e fundit që u takuam së bashku kaq shumë në numër ishte Konferenca e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit në qershor të këtij viti, ku me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale kryem një vështrim 360 gradë mbi gjendjen dhe nivelin e transparencës në qeverisjen qendrore, nga ku dolëm me premtimin se brenda këtij viti se brenda këtij viti do të mundësonim vëmendje të shtuar drejt vitalizimit të ingranazheve të transparencës proaktive, pra bërjes publike të informacionit nga vetë institucionet, për çështje për të cilat ka interes publik.

Një javë më parë, Indeksi i përditësuar i Transparencës nga Qendra Kërkimore Evropiane për Antikorrupsionin dhe Shtetndërtimin rikonfirmoi vlerësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator shqiptar në përmbushje 100% të standardeve ndërkombëtare, si dhe një rritje nga 73% në 78% për nivelin e publikimit në praktikë të informacionit.

Këto shifra përforcojnë një të vërtetë të njohur: ligji i mirë është bazamenti, por zbatimi i tij rigoroz është çelësi për të garantuar qeverisjen e hapur që synojmë. Vizioni i Shqipërisë në BE në vitin 2030 është emëruesi i përbashkët i punës sonë të përbashkët për institucione më të hapura, të aksesueshme dhe transparente.

Për t’i dhënë tjetër dinamizëm qasjes së deritanishme të institucioneve Shqipëria ka marrë përsipër në Axhendën Kombëtare të Reformave për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një angazhim eksplicit për publikimin proaktiv të të dhënave buxhetore në nivel qendror dhe lokal, pas një diskutimi të gjerë me të gjithë aktorët dhe posaçërisht shoqërinë civile për mënyrën më efektive dhe të thjeshtë për publikun.
Megjithatë, vendosëm të shkojmë më larg sesa kaq. Duke synuar të mbajmë premtimin në Konfrencën e Qershorit, për ngritjen e një mekanizmi edhe më gjithëpërfshirës që do ta ngrejë në një tjetër nivel hapjen institucionale, duke i dhënë një shtysë të pakthyeshme publikimit efikas të informacionit në dispozicion të publikut, gjithnjë në garë me vetveten.

Thënë kjo dhe pa u zgjatur më shumë, kam kënaqësinë që të paraqes sot për ju Transparent Albania, Shqipërinë Transparente, dritaren më të re dhe një iniciativë për të cilën më të mirët e stafeve tona nga zyra që unë drejtoj, nga Ministria e Financave, si dhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, të cilët i falenderoj nga zemra, kanë punuar intensivisht për t’a ideuar këtë koncept që prej ditës së sotme e paraqesim për diskutim e përsosje të mëtejshme.

Transparent Albania është një portë unike që do të mundësojë aksesin më të lehtë dhe më të shpejtë në një kategori të gjerë informacioni zyrtar dhe kontakti të drejtpërdrejtë me burimin e informacionit zyrtar, autoritetet publike.

Natyrisht, sikurse premtuam, transparenca buxhetore do të jetë kryefjala e kësaj platforme kryesore. Buxheti i planifikuar dhe ai faktik i shpenzuar do të jetë lehtësisht i lexueshëm për qytetarët dhe bizneset, përmes një pasqyre vizive grafike mbi bazën e të dhënave të rakorduara periodikisht me Ministrinë e Financave dhe posaçërisht me me thesarin. Informacioni do të jetë i disegreguar në financim të brendshëm dhe të huaj, si dhe më pas një pasqyrë e veçantë i dedikohet financimit për projektet në çdo sektor, përfshirë dhe përqindjen e realizimit. Të dhënat në faqen demo që kemi paraqitur janë indikative, por me vënien në funksionim tërësor të faqes, çdo qytetar ose qytetare do të mund të shkarkojë informacionin e kërkuar në një format të thjeshtë dhe të kuptueshëm, dhe natyrisht të gjitha këto të dhëna reflektohen njëherësh tek faqja e Ministrisë së Financave, sikurse të dhënat më të detajuara tek opendata.gov.al portal i cili është në proces përmirësimi në kuadër të projektit të Bankës Botërore GovTech të zbatuar nga AKSHI. Gjithashtu, kjo platformë do të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë me portalin e financimit të qeverisjes vendore, zhvilluar me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane.

Një dritare e dedikuar në platformë do të pasqyrojë në mënyrë të përditësuar të gjitha e miratuara të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit dhe Ministrave, përpos natyrisht zbatimit të rregullt të detyrimit ligjor për aktet për të cilat publikimi bëhet në Fletoren Zyrtare.

Programet e transparencësm, përmes detyrimit ligjor për transparencën proaktive, do të jenë më lehtësisht të aksesueshme, të cilat aktualisht vinë më të plota nga të gjitha ministritë, duke lehtësuar edhe një vështrim krahasues mbi performancën e institucioneve të ndryshme në përmbushjen e këtyre detyrimeve për transparencë proaktive.

Në frymën e garantimit të së drejtës për informim, platforma do të mundësojë ndërlidhjen direkte të qytetarit me kontaktin e koordinatorëve të informimit për secilin institucion qendror; koordinatorët do të jenë lehtësisht të arritshëm për çdo kërkesë informacioni, duke shmangur nevojën e qytetarit për lundrimin e faqeve të dedikuara të ministrive dhe institucioneve të tjera, përmes formularit standard të miratuar nga zyra e Komisionerit, si dhe duke krijuar mundësinë për të gjurmuar kërkesën për informacion. Përmes platformës çdo koordinatori i dërgohet kujtesë e herëpashershme mbi afatin e mbetur për kthimin e përgjigjes.

Që me fillimin e punës për platformën, një ndër prioritetet tona kyçe ka qenë rritja e ndërgjegjësimit për përdorimin më të shtuar të konsultimit publik, si një mjet direkt për pjesëmarrjen e qytetarëve në bashkëbërjen e ligjeve dhe politikave me ta dhe për ta. Për këtë qëllim, Regjistri Elektronik për njoftimet dhe Konsultimet Publike do të jetë drejtpërdrejt i aksesueshëm nga platforma, duke lehtësuar lënien e komenteve për çdo projekt-akt që i nënshtrohet këtij procesi.

Në fund nga rradha, por jo nga rëndësia, platforma krijon një mundësia dialogimi me këdo që dëshiron të shprehet mbi përmirësimin e informacionit të dhënë por edhe metodës se si ai paraqitet, dhe objektivi ynë është që sa më shumë informacione të jenë të publikuara, me aq më pak ngarkesë do të përballen koordinatorët për t’iu përgjigjur individualisht çdo kërkese.

E gjej me shumë rëndësi këtu të theksoj, se kjo faqe nuk ka qëllim as të dublikojë as tu mbivendoset detyrimit të çdo institucioni për të publikuar në faqet e tyre zyrtare informacionin zyrtar, faqe të cilat për ministritë janë në proces tërësor rishikimi për t’ bërë më miqësore për përdoruesit, proces i cili do të vijojë dhe me institucionet e varësisë në një periudhë të dytë.

Qëllimi i Transparent Albania është të shërbejë si një katalog unik dhe dinamik që do të mund të shfletohet më në detaje me një klikim të thjeshtë dhe kushdo mund të ridrejtohet më pas tek faqet e institucioneve përgjegjëse për informacionin.

Platforma është ende një punë në progres e sipër, ndaj përfituam nga audienca e këtij eventi të sotëm për të iniciuar në dialog të ngushtë me të gjithë ju në mirëpritje të çdo sugjerimi dhe propozimi për atë që ju vetë dëshironi të shihni të pasqyruar në fytyrën elektronike të Transparent Albania, Shqipërisë Transparente dhe kjo thirrje është veçanërisht e drejtuar organizatave të shoqërisë civile të specializuara në këtë fushë dhe që kanë përvojë tashmë në nxitjen drejt standardeve më të larta të transparencës. Ky takim i sotëm do të vijojë dhe me të tjerë në prezencë fizike por dhe virtuale, për t’a kthyer këtë platformë në një mjet efektiv dhe të shpejtë informimi që aksesohet nga telefoni.

Mbi të gjitha, platforma synon të jetë një mjet i vlefshëm në shërbim të çdo qytetari ose qytetarje të angazhuar, që kërkon të dijë në moment dhe me saktësi, pa shumë burokraci dhe gjuhë teknike, se ku shkojnë paratë e tij, se si bëhen politikat në emër të tij dhe se si institucioni publik angazhohet për të tashmen dhe për të ardhmen e përbashkët. Me Transparent Albania, synojmë që të gjithë të kenë, në kuptimin më të parë të fjalës, shtetin të aksesueshëm në telefon. Ne jemi të ndërgjegjshëm që kjo hapësirë midis qytetarit dhe autoritetet publike ka ende nevojë të afrohet, ndaj dhe

Për të mundësuar që makineria burokratike nga pas kësaj platfome i përgjigjet ambicies që kemi, në çdo ministri të linje do të ketë një ekip të dedikuar nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, për t’u kujdesur që procesi ndiqet me diligjencën e duhur, por dhe gradualisht kapërcimin përfundimtar të madh nga makthi i dikurshëm i dyerve të mbyllura dhe sporteleve zhvatëse, tek një forcë pozitive dhe transformuese për Shqipërinë evropiane.

Ju faleminderit edhe njëherë për jeni sot këtu, dhe mirpëres që bashkërisht ta kthejmë në realitet ambicien që aspiron kjo iniciativë, të gjithë bashkë.

Faleminderit shumë!