Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në kuadër të Javës së Integritetit 2025, ministrja Pirdeni ishte e pranishme në konferencën “Integriteti: Një busull për demokracinë dhe konkurrueshmërinë”, e organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC), një forum i fokusuar në forcimin e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në administratën publike.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, ekspertë ndërkombëtarë, partnerë të sektorit privat dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e integritetit si një mjet kyç për rritjen e besimit publik dhe konkurrueshmërisë së institucioneve.

Ministrja Pirdeni, gjatë fjalës së saj kryesore, theksoi rëndësinë e integritetit dhe përgjegjshmërisë në administratën publike si faktorë thelbësorë për transparencën, besueshmërinë dhe efikasitetin e shërbimit publik, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe forcimin e demokracisë.

Në kuadër të konferencës u zhvillua edhe paneli “Ndërtimi i besimit: praktika për planifikimin lokal të integritetit”, ku bashkitë, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë ndanë praktikat më të mira për hartimin e Planeve të Integritetit sipas Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion. Diskutimet u përqendruan në sfidat në nivel lokal, tipologjinë e masave të integritetit, indikatorët e matjes dhe rezultatet konkrete të zbatimit.

Ky aktivitet riafirmoi se integriteti është një element kyç për transparencën, besueshmërinë dhe efikasitetin e shërbimit publik, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe forcimin e demokracisë.