Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Iniciativa Rajonale Antikorrupsion (RAI), zhvilloi në Tiranë takimin e 44-të Grupit Drejtues, ku Shqipëria është anëtare prej vitit 2007. Përfaqësues nga nëntë vende të rajonit dhe më gjerë ndanë jo vetëm praktikat efektive, por dhe mesimet e nxjerra nga zbatimi i politikave antikorrupsion përgjatë gjithë rajonit.
E pranishme në takim, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni u shpreh se takimi në kryeqytetin shqiptar përputhet me “Javën e Integritetit”, një nismë që vendos në qendër të vëmëndjes promovimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Mbledhja e Grupit Drejtues së RAI-t në Tiranë thekson angazhimin tonë të përbashkët për avancimin dhe forcimin e mekanizmave për qeverisje transparente dhe të përgjegjshme,” tha Pirdeni.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin e përqëndroi fjalën e saj tek Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, dokumenti politik themelor që parashtron zotimet konkrete të të gjitha institucioneve përgjegjëse për thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Strategjia e re u shpreh ministrja Pirdeni ka në fokus ndërmarrjen e një serie masash sistemike për konsolidimin e standardeve më të larta të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike dhe private në vend, me synim final, ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët.
“Në Strategji ne kemi janë evidentuar sektorët më të riskuar ndaj të cilëve do të të ketë vigjilencë të shtuar për llogaridhënie më të madhe dhe transparencë të plotë në kryerjen e detyrave nga institucionet. Mes këtyre sektorëve renditen Pronat, Tatimet dhe Doganat, Shëndetësia, Kontratat Publike (Prokurimet dhe Koncensionet) dhe Arsimi. Ky dokument i rëndësishëm i cili do të miratohet shumë shpejt, vë theksin në rritjen e sinergjisë dhe përmirësimin e koordinimit efektiv mes të gjitha institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri,” tha Pirdeni.
Më tej ministrja Pirdeni u ndal tek shërbimet digjitale ku mbi 95% e shërbimeve sot ofrohen online e ku sportelet dhe radhët e gjata janë tashmë histori e të shkuarës duke eleminuar tërësisht korrupsionin e vogël.
Ministrja Pirdeni shtoi gjithashtu se është drejt finalizimit procesi i prokurimeve publike me Inteligjencë Artificiale ku do të bëhet kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit.
Iniciativa Rajonale Antikorrupsion (RAI) është organizata rajonale që promovon dhe nxit nisma dhe politika antikorrupsion duke i orientuar vendet anëtare për ndërhyrje për veprime dhe masa.
Edukimi dhe ndërgjegjësimi kundër korrupsionit, instrumentet e vlerësimit të riskut për korrupsion në fusha dhe sektorë të ndjeshëm si dhe ngritja e strukturave për më shumë operacionalitet janë fusha ku RAI interferon ndjeshëm në rajonin e Ballkanit.