Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni zhvilloi një forum të hapur me studentët dhe stafin e Departamentit të fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin “Epoka” mbi sfidat e Administratës Publike në kuadër të hapjes së negociatave për Grup-Kapitullin e parë “Themeloret”.

Hapja e Grup-Kapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Evropian përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian, duke e vendosur vendin në një trajektore më dinamike dhe reformuese.
Ministrja Pirdeni foli mbi pritshmëritë konkrete për këtë proces, sfidat që Shqipëria përballet, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet evropiane.

Hapja e grup-kapitullit të parë, theksoi ministrja Pirdeni gjatë fjalës së saj është guri i themelit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke qenë se ecuria në të përcakton ritmin e të gjithë negociatave të anëtarësimit. Ai është Grup-Kapitulli i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet. Ministrja Pirdeni nënvizoi përfitimet e drejtpërdrejta që hapja e këtyre kapitujve do të sjellë për qytetarët shqiptarë, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës ekonomike dhe sociale në vend. Gjithashtu, diskutimi u fokusua edhe në hapjen e Programit të Ekselencës, platformë e cila do të përfshijë punësimin studentëve ekselentë në institucionet e administratës publike.

Takimi u karakterizua nga një interes i lartë nga ana e studentëve, të cilët ngritën pyetje të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë që paraqet ky proces për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.