Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në kuadër të “Javës së Integritetit”, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, mori pjesë në konferencën e organizuar nga ICC Albania, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN) në bashkëpunim me MAPA.
Aktiviteti u mbështet nga Ambasada Suedeze dhe ajo e Holandës, dhe vendosi në qendër të diskutimeve rëndësinë e edukimit, kërkimit dhe digjitalizimit në forcimin e integritetit.
Ministrja Pirdeni theksoi në fjalën e saj përshëndetëse se edukimi, kërkimi dhe digjitalizimi janë tematika vitale dhe gjenden gjerësisht të pasqyruar në Strategjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030
“Digjitalizimi është tashmë aleati ynë më i fortë në rritjen e standardeve të integritetit, duke sjellë përmirësime të prekshme në administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit.
Ministrja nënvizoi gjithashtu se Inteligjenca Artificiale po injektohet në administratën publike për të rritur efikasitetin dhe për të adresuar sfida të tilla si transparenca në prokurimet publike, duke reduktuar mundësinë e ndërhyrjeve korruptive.
Në lidhje me edukimin, Ministrja përmendi iniciativat e rëndësishme si rishikimi i Kurrikulës së Integritetit për shkollat fillore si dhe zbatimi i Projektit Edukativ Antikorrupsion për shkollat e mesme. Këto projekte synojnë të ndërgjegjësojnë brezin e ri mbi rëndësinë e integritetit dhe ligjshmërisë, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe transparente.
“Bashkë me ministrinë e Arsimit dhe Sportit kemi nisur rishikimin e kurrikulës, ky është një proces që zgatet në kohë pasi ndryshimi nuk vjen brenda një dite. Të gjithë e dimë se shkolla ka një rol thelbësor për të edukuar fëmijët me parimet e inegritetit, prandaj mbetet në fokusin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit edukimi kundër korrupsionit në Arsimin Parauniversitar. Lufta kundër korrupsionit nuk i përket vetëm qeverisë, por të gjitha institucioneve, shoqërisë dhe çdo individi. Është një betejë për të tashmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen,” tha Pirdeni.
Gjatë konferencës pati një seri diskutimesh dhe prezantimesh nga ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe akademikë duke ofruar ide dhe zgjidhje konkrete për forcimin e integritetit dhe transparencës në Shqipëri.