Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Të nderuar shkëlqesi,

të nderuar Ministra dhe përfaqësues të lartë nga rajoni,

Përfaqësues të nderuar të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile,

Të nderuar Kolegë,

Kam kënaqësi të veçantë t’ju mirëpresim të gjithëve ju në Tiranë e cila këto dy javë e fundit ka qënë kryeqendra e rajonit.

Bashkohem me falenderimin e Ministrit Manja për bashkëorganizatorët tanë në këtë konferencë, Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional. Falë këtij bashkëpunimi bëmë sot realitet një forum me përfaqësues të qeverive, institucioneve të specializuara kundër korrupsionit, akademikë, aktivistë të shoqërisë civile për të ndarë, përvoja dhe opinione në kuadër të shumëfishimit të përpjekjeve për më shumë llogaridhënie dhe integritet.

Si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin e Shqipërisë dhe njëherësh si Koordinatori i ri Kombëtar Kundër Korrupsionit, jam e lumtur që do të kemi kontributin tuaj të çmuar përgjatë diskutimeve në këtë platformë që shenjon rëndësishëm agjendat tona antikorrupsion.

Agjenda antikorrupsionit është prioritet mbi prioritetet e Qeverisë Shqiptare. Krijimi në janar të këtij viti i pozicionit të dedikuar të Ministrit të Shtetit kishte qëllim primar garantimin e harmonizimit tërësor të politikave tona të antikorrupsionit për adresuar efektivisht kërkesat që burojnë nga procesi negociatave me Bashkimin Evropian.

Prandaj, përgjatë këtij rrugëtimi të saponisur do të synojmë kanalizimin dhe garantimin e efektshmërisë të masave të integritetit në cdo qelizë institucionale, masa për të cilat do të jemi nën lupën e kolegëve të Komisionit Evropian.

Krijimi i pozicionit të Ministrit të shtetit tashmë e nis rrugën mbi bazat solide të vendosura nga puna tejet serioze dhe diligjente e kryer prej krijimit të Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion nën drejtimin e Ministrit Manja, si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit. Pikërisht në saj të punës së kësaj drejtorie, masës kritike të ekspertizës së krijuar këto tre vjet, sot jemi në gjendje të kristalizojmë vizionin tonë dhe të jemi më të qartë për rrugën përpara.

Vizioni për administratën që ngre dita ditës mure mbrojtëse ndaj sjelljeve korruptive, bazohet në bindjen se vetëm përmes modernizimit dhe zbatimit të modeleve inovative të mirëqeverisjes në të gjitha hallkat e proceseve të punës do të mund të injektojmë efekshëm integritetin dhe llogaridhënien në qeverisje.

Deri më tani, kemi qënë dëshmitarë të impaktit të jashtëzakonshëm që ka patur digjitalizimi në asgjesimin e korrupsionit të vogël, përmes shmangies së kontaktit njerëzor për 95% të shërbimeve teksa flasim. Duke u ngritur mbi suksesin e zhvillimeve digjitale në 3 vitet e fundit në Shqipëri, e në sfidë të përhershme përmirësimi performance me veten, Qeveria Shqiptare mbetet e përkushtuar maksimalisht për të vijuar transformimin e administratës, duke vendosur inovacionin në themel të këtij transformimi.

Teksa zbatojmë inovacionin në proceset tona të punës duke minimizuar subjektivitetin në proceset vendimmarëse, rrjedhimisht ngushtojmë gjithnjë e më shumë hapësirën për abuzim apo korrupsion.

Në po të njëjtën linjë, sigurisht teknologjia mbetet një instrument i fuqishëm dhe i domosdoshëm për mbikqyrjen dhe gjurmimin e performancës së proceseve të punës. Sot, me numrin gjithnjë e më të madh të sistemeve digjitale në zbatim, përmes tyre gjenerohet llogaridhënie e shtuar ndaj cdo veprimi administrative, nga nëpunësi i nivelit më të ulët teknik deri te menaxheri më i lartë vendimmarrës.

Megjithatë, vështrimi dhe aksioni ynë shkon përtej përfitimeve që mund të vijnë thjesht dhe vetëm nga inovacioni. Do ta kombinojmë këtë prioritet të modernizimit me një qasje të dedikuar ndaj fushave dhe sektorëve më vulnerabël ndaj korrupsionit. Ndaj dhe do të ecim me një ritëm më intensiv në sektorë si pronat, tatimet, doganat, shëndetësia, arsimi, e deri te prokurimet si fushë horizontale që kërkon vigjilencën tonë maksimale dhe ku i gjithë cikli i prokurimeve do të hyjë tashmë në një fazë të re.

Po ashtu, çdo inovacion, çdo teknologji e re, kërkon padyshim dhe një kapital njerëzor, kolegë të administratës publike që prioritizojnë mbi cdo gjë integritetin në punën e tyre.

Pikërisht këtu lidhen në mënyrë organike objektivat e pozicionit të ministrit të shtetit nga antikorrupsioni tek fuqizimi i kapitalit tonë njerëzor në adminisitratë. Ky binom na mundëson që të targetojmë investimin për luftën ndaj korrupsionit nga mitigimi bazik i këtij fenomi, tek promovimi i kapitalit njerëzor që operon me integritet në zyrat tona shtetërore.

Për ne mbart rëndësi thelbësore instalimi i standardeve të pakthyeshëm të integriteti në administratë dhe institucione. Ndaj krahas përgatitjes profesionale, do të përqendrojmë fokusin në përgatitjen profesionale të stafeve të larta manaxheriale mbi standarde etike maksimale. Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur që këto standard të përhapen në formë kaskadë në të gjitha strukturat. Motoja jonë sa e vjetër, aq edhe e re, e udhëheqjes përmes shembullit, është sot më relevante se kurrë në mandatin tonë për ta bërë shërbimin publik model vlerash dhe efikasiteti. Në fushën e shërbimit publik dhe nga pozicionet tona drejtuese, llogaridhënia nuk është kurrsesi barrë, por është një përgjegjësi që ne e veshim me zgjedhje dhe vetëdije të plotë si bartës të besimit publik.

Të nderuar kolegë të pranishëm,

Për të avancuar me ritëm të shpejtë në procesin e negociatave mbetet prioritare që përvec një adminsitrate profesionale, të ngremë një administratë vlerash e standardesh. Sot në rajon jemi përpara një momentum-i për të mos u humbur në avancimin e procesit të negociatave, për të cuar përpara reforma të tjera, po aq thelbësore, sa ajo në drejtësi e ndërmarrë në Shqipëri. Ndaj cdo kontribut i juaji në raporte, studime, por vecanërisht në këtë platformë, ku ulemi të gjithë bashkërisht për të folur e diskutuar është i pazëvendësueshëm.

është gati-gati aksiomatike se beteja kundër korrupsionit kërkon një qasje bashkëpunuese dhe të shumëanshme, por mbi të gjitha, një katarsis të pandërprerë politik dhe etik që nis nga vetja. Për këtë të fundit ju siguroj që angazhimi ynë është dhe mbetet maksimal. Ndaj mbetemi të hapur për cdo propozim e zgjidhje që do të dalë nga konkluzionet e këtij takimi, me bindjen e plotë që i shërben qëlimit të përbashkët për më shumë transparencë dhe integritet.

Ju faleminderit!