Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Faleminderit shumë!

E nderuar Kryesuese e seancës,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,

Paraqes përpara jush sot raportimin mbi punën e Administratës Publike përgjatë vitit 2024, të vijuar më pas edhe përgjatë vitit 2025, për adresimin e të gjitha gjetjeve dhe rekomandimeve të rezolutës vjetore të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe të gjithë rekomandimeve të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Dhe në këtë kontekst, dy ditë më parë, Komisioni Evropian publikoi raportin e progresit për Shqipërinë ku reforma në administratën publike vlerësohet objektivisht me progres në 6 shtyllat e saj, me rezultate të matshme.

Veçanërisht, Komisioni ka evidentuar plotësimin e kuadrit strategjik të reformës me dy strategjitë kyçe – përkatësisht, atë për antikorrupsionin dhe strategjinë e dedikuar për reformën në administratën publike deri në vitin 2030-të, shtrirjen e Planeve të Integritetit në mënyrë kapilare në të gjithë qeverisjen qendrore, si dhe menaxhimin e qëndrueshëm fiskal në vend.

Natyrisht që shoqëruar edhe me listën e detyrave që janë në proces dhe që kërkojnë të njëjtin ritëm pune për ta çuar vendin drejt standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ky vlerësim I Komisionit është pika më e rëndësishme e referencës për çdo institucion që mbart përgjegjësi në procesin e pandërprerë të reformës, përfshirë edhe Departamentin e Administratës Publike (DAP). Kjo fiton rëndësi të veçantë sidomos pasi Reforma është tashmë e përfshirë drejtpërdrejt si pjesë e Grupkapitujve “Themelorët”, që përcaktojnë ritmin dhe cilësinë e të gjithë procesit të anëtarësimit në BE.

Viti 2024 ka qenë një vit tejet i rëndësishëm për DAP – për konsolidimin e reformës dhe për shndërrimin e saj nga një proces i mirë-planifikuar në një proces të maturuar tashmë. Kjo u bë e mundur gjithashtu përmes krijimit të portofolit të dedikuar ministror për administratën publike dhe antikorrupsionin, vendim që në fillim të vitit 2024 i dha reformës peshën politike, institucionale dhe funksionale të nevojshme për t’u trajtuar si prioritet qeveritar dhe kombëtar.

Ky konfigurim i ri ka sjellë rritje të koherencës midis hartimit të politikave, zbatimit dhe monitorimit të reformës, duke e vendosur kështu Departamentin e Administratës Publike në një rol të qartë garantues të çdo ndërhyrjeje në reformë me standardet e Bashkimit Evropian dhe me detyrimet e procesit negociues.

Vlerësimi periodik i OECD/SIGMA, organizata më autoritare në fushën e vlerësimit të progresit të administratës publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ka publikuar në dhjetor 2024 raportin për Shqipërinë dhe kjo është një nga provat më të plota të progresit të administratës sonë publike.

Procesi 6-mujor i vlerësimit të SIGMA-s u bazua në 1,536 pyetje monitorimi të detajuara, duke përfshirë qeverinë qendrore, shërbimin civil dhe institucionet e pavarura. Rezultatet e SIGMA-s si vëzhguesi më prestigjioz i zbatimit të Reformës në vendet kandidate e pozicionojnë Shqipërinë si vendi me performancën më të lartë në rajon në shumicën e 32 indikatorëve të matur, veçanërisht në hartimin dhe koordinimin e politikave, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe shërbimit civil, qeverisjen digjitale dhe menaxhimin e financave publike.

SIGMA vlerëson gjithashtu se sistemi i rekrutimit dhe menaxhimit të shërbimit civil në Shqipëri vlerësohet i pjekur dhe i qëndrueshëm.

Në fakt, ndërhyrja më e thellë strukturore që ka kontribuar në këtë pjekuri ka qenë reforma radikle e pagave, e iniciuar në vitin 2023 dhe e vijuar plotësisht përgjatë vitit 2024 e më tej. Ajo ka sjellë një rritje mesatare nga 35% deri në 64%, në varësi të kategorive të pagave, dhe ka çuar pagën mesatare në administratë në rreth 100,000 lekë të reja, pothuajse dyfishi i vitit 2013-të.

Kjo reformë është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian, jo vetëm për rritjen nominale të pagave, por edhe sepse shoqërohet me një model të drejtë karriere, shpërblimesh dhe vjetërsie, falë rritjes së indeksit të shkallës së komprimimit të pagës dhe peshës së elementit të vjetërsisë në pagën totale.

Në kuadër të kësaj reforme, përgjatë vitit 2024 janë zbatuar rritje pagash për disa sisteme karriere me peshë të lartë publike.
• Për rreth 36 mijë punonjës mësimorë dhe të tjerë jo mësimorë, në arsimin parauniversitar, pagat u rritën me mesatarisht 23% – 53%;
• Për rreth 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor, rritje mesatare 25% për mjekët ose rritje në vlerë prej 20.000 lekë në muaj për mjekët e përgjithshëm, si dhe rritje mesatare 32% për infermierët ose rritje në masën 15.000 lekë në muaj për ta;
• Për rreth 6,000 ushtarakë të Forcave të Armatosura, pati 7%-22% rritje të pagës për gradë;
• Për rreth 3,500 punonjës policie pati rritje të pagës për gradë mesatarisht 15,12%;
• Për rreth 1,500 punonjës të Gardës së Republikës rritja e pagës për gradë u shënua nga 12.9% – 34.6%;
• Për rreth 1,200 punonjës të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, paga për gradë u rrit nga 6.5% – 30.4%.

Reforma tërësore e sistemit të pagave u shtri edhe në të gjithë njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke i barazuar tashmë njëherë e mirë pagat e tyre me ato të klasës përkatëse korresponduese për administratën shtetërore. Kjo e çoi rritjen e pagave nga 15% deri në 241%, në varësi të bashkive.

Efektet e reformës janë reflektuar tashmë edhe në perceptimin e punonjësve publik. Sipas sondazhit rajonal nga OECD/SIGMA për Ballkanin Perëndimor në administrate publike Shqiptare, kënaqësia me pagën është trefishuar – nga 13% në vitin 2022, në 47% në vitin 2024.

Hapi i radhës është ruajtja e qëndrueshmërisë së këtij trendi dhe këtij modeli, arsye për të cilën politika e pagave e parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2026 nuk ka karakter të njëanshëm, por është ndërtuar për të garantuar indeksim, korrigjim dhe balancim të brendshëm të sistemit të pagave, në mënyrë që reforma e vitit 2024 të mos mbetet një ndërhyrje e izoluar, por të kthehet tashmë në një standard afatgjatë.

Prandaj, me projektbuxhetin e vitit 2026, qeveria shqiptare parashikon indeksimin e pagave të administratës publike, sikurse kërkohet nga ligji nr. 35/2023 “Për kompetencat e pagave”, si edhe parashikon një rritje të pagës minimale me 10.000 lekë – nga 40.000 lekë në 50.000 lekë – që përkthehet në një rritje prej 25% për një kategori të konsiderueshme të punonjësve të administratës me paga aktualisht më të ulëta.

Konkretisht, kjo është produkt i një politike të re pagash që kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë, i shton gati 100 milion Euro qysh në vitin e parë – 2026 – të gjithë këtij fondi të madh të pagave.

Konkretisht,

10,600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj – me një vlerë në rritje gati 25%;
Për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja;
Mësuesit do të përfitojnë pagë, 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj;
Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj;
Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj;
Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj;
Gjithashtu, një rritje të qenësishme është mundësuar për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj.
E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave, pagat rriten si më poshtë:
Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në muaj në 84.500 lekë të reja në muaj, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.
Për komisarët nga 105 mijë në 110.600; dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, në 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë të reja.
Tashmë besojmë që ky trend i nisur do të vijojë, dhe ky projektbuxhet i 2026 dëshmon trendin e nisur në 2023 dhe 2024, dhe e përforcon më tej atë.
Gjithashtu, një tregues i rëndësishëm i maturimit të sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore për administratën publike ka qenë përmirësimi i dukshëm në procesin e rekrutimit. Vetëm përgjatë vitit 2024 u zhvilluan 853 konkurse për 1,510 vende të lira pune, nga të cilat u plotësuan 1,221 pozicione. Kjo bëri që plani vjetor i pranimeve të realizohej në masën 103%, nga vetëm 72% të një viti më parë, çka tregon qartazi stabilizimin e sistemit pas zbatimit të reformës së pagave.
Është e rëndësishme të theksohet se performanca më e ulët e vitit 2023 nuk lidhej me mungesë aplikantësh apo kapacitetesh, por me dy faktorë shumë të rëndësishëm të jashtëm: e para, ndalimin ligjor të rekrutimeve gjatë periudhës zgjedhore dhe parazgjedhore dhe procesin e ristrukturimit institucional pas reformës së pagave. Me përfundimin e këtyre fazave, viti 2024 shënoi rikthimin në normalitet dhe rivendosjen e një ritmi të qëndrueshëm dhe transparent rekrutimi.
Gjatë të njëjtit vit u rekrutuan gjithsej 711 punonjës të angazhuar për herë të parë në administratën publike shqiptare si nëpunës civil – kundrejt 443 të tillëve në vitin 2023, çka sinjalizon rritje të ndjeshme të interesit për t’u bërë pjesë e administratës publike.

Gjithashtu, numri i largimeve nga puna është ulur me mbi 20%, ndërsa masat disiplinore kanë rënë me 44% krahasuar me vitin e mëparshëm. Këto të dhëna tregojnë për një administratë më profesionale dhe me funksionim më të mirë të mekanizmave të etikës dhe kontrollit të brendshëm.

Në të njëjtën kohë, shkalla e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ka shënuar përmirësim të ndjeshëm me 86.6%, krahasuar me 84.2% të një viti më parë. Ky progres reflekton gjithashtu rritjen e respektimit të shtetit të së drejtës edhe në marrëdhëniet e punës brenda administratës publike.

Gjithashtu, gjatë vitit 2024, Departamenti i Administratës Publike ka vijuar të udhëheqë procesin e modernizimit të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të lidershipit në administratën publike, duke u fokusuar jo vetëm te rregullimi formal i sistemeve, por te përmirësimi real i klimës së punës dhe i atraktivitetit të shërbimit civil si profesion.

Në këtë kuadër, në muajin maj u prezantua Paketa e Motivimit për sektorin publik, një nismë e ndërtuar mbi modele të provuara evropiane, me synimin për ta kthyer administratën nga një vend pune statik në një mjedis më mbështetës dhe më motivues. Kjo paketë është konceptuar mbi katër shtylla kryesore:

• mirëqenie dhe përshtatje me sfidat e reja të punës;
• mbështetje më e gjerë për stafin dhe akses në aktivitete shtesë;
• forcim i bashkëpunimit dhe i kulturës së ekipit;
• dhe një qasje më e drejtë ndaj motivimit financiar për të gjithë ekipet tona.

Disa prej masave të kësaj pakete janë tashmë në zbatim. Një ndër më të rëndësishmet është futja e fleksibilitetit në orarin e punës, e cila ka hyrë në fuqi nga gushti 2024 dhe u jep mundësi punonjësve për më shumë autonomi në menaxhimin e kohës, sidomos prindërve në punë, pa cenuar funksionimin institucional.

Një tjetër ndryshim tejet i rëndësishëm ka qenë edhe rishikimi i rregullave të pushimeve vjetore, përmes ndryshimeve në Kodin e Punës të miratuara nga Kuvendi në korrik 2024. Në sajë të tyre, u hoq kufizimi që e detyronte pushimin të merrej vetëm për të paktën një javë të plotë kalendarike, duke e çuar numrin total të ditëve të pushimit nga 20 në 22 ditë pushimi të plota në vit dhe duke u dhënë kështu punonjësve më shumë hapësirë për planifikim personal.

Për herë të parë, gjatë periudhës 27–31 maji 2024, u organizua edhe Java e Administratës Publike, me temën “Modernizimi në Veprim”. Kjo javë synon të kthehet në një traditë vjetore dhe është mbajtur edhe në vitin 2025, duke u konsoliduar si një hapësirë dedikuar dialogut me administratën, motivimit të punonjësve tanë dhe hapjes së institucioneve ndaj qytetarëve.

Sa u takon kapaciteteve të administratës publike, gjatë vitit 2024 ASPA trajnoi 8,184 punonjës të administratës publike, duke dyfishuar numrin e trajnuar nga një vit më parë. U realizuan 648 ditë trajnimi dhe mbi 1,200 nëpunës të rinj u certifikuan gjatë periudhës së provës.

Një risi e rëndësishme ishte Programi i Zhvillimit të Lidershipit, i zbatuar për herë të parë për 267 drejtues të nivelit të mesëm dhe të lartë, me fokus tek aftësitë e udhëheqjes, menaxhimit dhe motivimit.

ASPA hartoi gjithashtu gjashtë kurrikula të reja mbi procesin e integrimit evropian, për të rritur përgatitjen e administratës në funksion të negociatave. Po për herë të parë u realizua një pyetësor online me 354 biznese, i cili identifikoi si nevojë kryesore trajnimet për bizneset në ekonomi dhe në aplikimet për fondet e Bashkimit Evropian, që ASPA do t’i ofrojë shumë shpejt kundrejt pagesës.

Në zbatim të modelit të ri të vetëfinancimit, rregullimet e reja të tarifave për trajnimin e personave jashtë administratës publike, si dhe rishikimi i tarifave të trajnerëve është tashmë një sistem më shpërblyes për të tërhequr trajnerët më të mirë në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike.

Por krahas shifrave, natyrisht është shumë e rëndësishme të theksojmë që DAP ka finalizuar në korrik 2025 me miratim të Këshillit të Ministrave punën intensive të nisur përgjatë vitit 2024 në drejtimin e Ministrit të Shtetit, për finalizimin dhe miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratës Publike 2025-2030.

Ky është një dokument, i cili paraqet një listë të detajuar të detyrave të shtëpisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030 në kuadër të modernizimit të administratës publike.

Viti 2024 ka sjellë gjithashtu përparim të dukshëm edhe në dimensionin e inovacionit dhe digjitalizimit, veçanërisht në përdorimin e inteligjencës artificiale në përgatitjen dhe analizën e projekt-akteve, në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, si dhe në lehtësimin e proceseve të punës brenda administratës publike.

Paralelisht, ka vijuar me ritëm të shpejtë ngritja e sistemit digjital të regjistrit të personelit dhe platformës digjitale të ndërveprimit administrativ, që do të mundësojë automatizimin e shumicës së proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore në shërbimin civil.

Si një element të fundit dua të theksoj atë që do ta konsideroja punën më të rëndësishme të kryer përgjatë këtyre dy viteve në zbatim të njëhershëm të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Raportit të Komisionit Evropian, pikërisht rishikimin paralel të dy ligjeve bazë të administratës publike: ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” dhe ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të cilët janë aktualisht për konsultim publik.
Të dyja këto ligje përbëjnë themelet e ngrehinës ligjore të administratës publike dhe për këtë arsye procesi i ndërhyrjes në to është zhvilluar me një analizë të thelluar, në bashkëpunim të fortë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ekspertët e OECD/SIGMA dhe projektit “BE për Mirëqeverisjen”.
Për ligjin nr. 90/2012, konsultimi publik ka përfunduar tashmë dhe nisma ndodhet në fazën e rakordimeve të fundit ndërinstitucionale. Ndryshimet e propozuara synojnë tre objektiva kryesorë:
1. krijimin e një kuadri modern llogaridhënieje nga institucionet e varësisë dhe ministrisë;
2. qartësimin e tipologjisë së institucioneve për të shmangur mbivendosjet dhe fragmentimin;
3. gjithashtu synon që të transferohet më shumë vendimmarrje te nivelet e ulëta menaxheriale.
Ndërkohë, për ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, në ndryshimet e parashikuara, të cilat janë ende në proces konsultimi me të gjithë grupet e interesit, do të fokusohemi kryesisht në aspekte që kanë të bëjnë me:
1. rishikimin dhe krijimin e një modeli të ri rekrutimi në hyrje, me sistemin dyfazësh, ku do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e rinj të administratës publike pavarësisht nëse do të jenë nëpunës civilë ose jo;
2. riformatimin e sistemit të drejtuesve të lartë, për të garantuar më shumë meritokraci dhe stabilitet;
3. krijimin e një skeme më fleksibël motivimi, që përfshin shpërblime për performancë dhe ide inovatore.
Të dy këto procese ecin paralelisht dhe përbëjnë fazën përmbyllëse të reformës ligjore në administratën publike, në përputhje të plotë me pritshmëritë e Komisionit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë me procesin e reformimit, po kryejmë edhe hartëzimin e kapaciteteve administrative për secilin grup-kapitull të negociatave, me synimin që Shqipëria të jetë në gjendje t’i përmbyllë ato brenda vitit 2027-të, sikurse është edhe premtimi i kësaj qeverie.

Kjo analizë po na ndihmon të identifikojmë qartë ku qëndrojnë pikat e forta dhe hapësirat që duhen forcuar, në mënyrë që burimet njerëzore të ridrejtohen pikërisht aty ku nevoja është më eminente.

Të nderuar deputetë,

Të gjithë proceset që përmenda – nga reforma e pagave, te ristrukturimi ligjor, modernizimi i shërbimit civil, digjitalizimi, ndërtimi i kapaciteteve dhe pozicionimi ndërkombëtar i administratës sonë, nuk janë iniciativa të izoluara, por pjesë e një arkitekture të vetme reformuese, e cila po zhvillohet në sinkron me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Detyrat e mbetura për ne janë të qarta dhe janë të njohura – përgjegjësia për zbatimin mbetet prioritet qeveritar. Në këtë kuptim, raportimi i sotëm dhe Rezoluta e pritshme e Kuvendit të nderuar janë pikë referimi për ecurinë e mëtejshme, në funksion të objektivit strategjik të vendit: anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe jam në dispozicion për çdo pyetje apo sqarim.