Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme!

Ndihem sot shumë e privilegjuar që jam sot këtu mes jush por gjithashtu jam tejet e nderuar që shikoj një atmosferë të jashtëzakonshme, sa familjare nga njëra anë, por edhe e paprovuar më parë.

Me lejoni të prezantohem shumë shkurt, unë jam Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Sot ky takim i madh këtu më duket si një përqafim i madh me të gjithë ju. Italia ishte për brezin tim ajo dritare në Evropën dhe botën e lirë me gjithçka të bukur dhe gjithcka të jashtëzakonshme që ajo kishte për të ofruar.
Brezi ynë ishte i pari që foli në gjuhë të huaj italisht dhe jo anglisht. Ne u magjepsëm me kulturën italiane ashtu sikurse e pamë afrimitetin me realitetin e Italisë në fillim të viteve ’90.

Por nga ana tjetër përpos admirimit, ne u rritëm të gjithë me vendimin që ky realitet sado i afërt ishte shumë i largët. Gjithçka që vinte me shumë ngjyra nga ekrani i vogël i televizionit në fakt kontrastonte thelbësisht me bardhezinë rreth rrotull afër nesh ashtu sikurse mes këtyre distancave hynin shpesh herë sakrificat e të gjithë shqiptarëve që kishin ardhur këtu për një jetë shumë më të mirë.
Sot pas më shumë se tre dekadave, realiteti është krejt ndryshe.

Unë prej më shumë se tre vite e gjysmë jam pjesë e skuadrës kombëtare të Shqipërisë që negocion me Bashkimin Europian aderimin e vendit në BE.

Jam tejet krenare që jam pjesë e kësaj skuadre edhe sepse përgjatë kësaj dekade, Shqipëria ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Na ka mësuar që aleatët tanë nga ana tjetër e tryezës na shohin me shumë vlerësim, me shumë respekt, por mbi të gjitha me shumë vlerësim për rrugën që na pret përpara.

Ky proces natyrisht nuk është i thjeshtë, për këtë arsye, proceset që unë drejtoj pikërisht avancimin dhe transformimin në administratën publike shqiptare për më shumë integritet por mbi të gjitha ekselencë në performancë, do të jenë shtyllat tona kryesore në avancimin e agjendës evropiane.

Ne e dimë natyrisht që ky proces për Shqipërinë 2030 dhe për Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade, nuk është një proces i lehtë, është një proces i cili përpos forcimit të kapitalit tonë vendas, ne do donim të përqafohej dhe të afrohej me të gjithë ju që u zhvilluat profesionalisht në vende të tjera por që do të donit dhe e shikoni si mundësi dhe si një sprovë rikthimin në Shqipëri.
Gjithashtu do të shikojmë dhe do të ofrojmë mundësi të tjera dhe shtigje për të mundësuar që ju të vini dhe të kontribuoni në Shqipëri dhe gjithashtu të kontribuoni në Shqipëri nga këtu ku jeni. Sot revolucioni digjital na e mundëson këtë.

Natyrisht ne e dimë që ky është një proces tejet i vështirë, nuk është e lehtë të ndjekësh një rrugëtim të kësaj natyre. Por ne jemi thelbësisht të bindur se sikurse ju, të gjithë ju në fakt, ngjitët një të përpjetë të jashtëzakonshme përgjatë më shumë se tre dekadave, ashtu dhe ne, brezi i shqiptarëve të rinj që do duan ta bëjnë Shqipërinë në Shqipëri dhe për Shqipërinë.

Unë shpresoj shumë dhe u falenderoj të gjithëve për këtë event të jashtëzakonshëm dhe për këtë mirëpritje të jashtëzakonshme këtu, dua ta mbyll me nje fjali shumë të thjeshtë: Ju sot po i jepni Italisë atë që Italia nuk e imagjinonte kurrë se mund të merrte nga ju.
Por ne jemi të bindur se dita ditës Shqipëria është për ju, për ne, për të gjithë bashkë dhe do të bëhet vendi që do u presë me krahë hapur por mbi të gjitha do bejë të paimagjinueshmen për të gjithë ne, kjo është e mundur dhe mbi bazën e kësaj fryme të jashtëzakonshme këtu do të ecim përpara.

Faleminderit për frymëzimin për modelin tuaj të jashtëzakonshëm të punës por mbi të gjitha për besimin se Shqipëria sot po bëhet dhe do e bëjmë të gjithë bashkë!

Faleminderit!