Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Përshëndetje,
Faleminderit e nderuar kryetare,
Të nderuar deputetë,

Sot vij përpara jush për të bërë një përmbledhje të raportit vjetor të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2023. Viti 2023 ka qenë një vit i shënjuar nga disa momente kyçe për administratën publike, ndaj dhe shkurtimisht do të ndalem tek të gjitha ato pika që reflektojnë punën e bërë nga koleget dhe kolegët e DAP-it dhe të gjithë administratës.
Pika e parë ku do të doja të ndalesha është Reforma në Administratën Publike. Siç e dini, reforma e administratës publike është jo vetëm një prioritet i qeverisë shqiptare, por edhe një kërkesë e Bashkimit Evropian, si domosdoshmëri për rrugëtimin evropian të vendit. Në këtë drejtim, një ndër arritjet kryesore për vitin 2023 ka qenë pikërisht Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike, ku gjatë vitit 2023 u ndërmorën një serë masash për hartimin e strategjisë së re 2023 – 2030. Aktualisht është përgatitur draft dokumenti narrativ i strategjisë në të cilin është përcaktuar vizioni, qëllimet politike, objektivat specifike dhe masat për periudhën në vijim. Pritet që strategjia të miratohet brenda ____ të vitit 2024.
Në hartimin e kësaj strategjie, padyshim kemi patur edhe mbështetjen e pakursyer të Bashkimit Evropian në të gjitha drejtimet. Pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, në Korrik 2022, si dhe takimeve të zhvilluar në Bruksel në Shtator dhe Dhjetor 2022,
Komisioni Evropian publikoi raporti screening (20 korrik 2023), me gjetjet dhe rekomandimet kryesore për reformën e administratës publike. Në këtë kuadër, ndër arritjet e vitit 2023 mund të përmendim:
Duke filluar nga muaji Prill 2023 u bashkërendua puna nga ana e negociatorit përgjegjës për RAP-in me institucionet përgjegjëse për hartimin e udhërrëfyesit, i cili është një dokument politik që mbështet reformën në administratën publike, me një plan masash prioritare, për periudhën kohore 2023 – 2030.
U përcaktuan masat prioritare të organizuara në 5 shtylla, bazuar në parimet e Bashkimit Evropian mbi administratën publike: (i) Zhvillimi dhe koordinimi i politikave; (ii) Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; (iii) Organizimi i administratës publike, llogaridhënia dhe transparenca; (iv) Ofrimi i shërbimeve ndaj publikut; (v) Menaxhimi i financave publike. Këto masa u konsultuan me grupet e interesit, shoqërinë civile, si dhe në regjistrin elektronik të konsultimit publik.
U miratua me VKM-në nr. 737, datë 13.12.2023, Udhërrëfyesi për Reformën në Administratën Publike 2023 – 2030.
Filloi puna për detajimin e masave të parashikuara në këtë dokument, në një plan konkret veprimi në kontekstin e kuadrit strategjik të Reformës në Administratën Publike.
Jemi të bindur se Reforma e Administratës Publike do të garantojë një administratë moderne, inovative, që do i shërbejë mirëqeverisjes, dhe do të jetë motori shtytës i avancimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Moment i rëndësishëm gjatë vitit 2023, ishte nisja e reformës së pagave (që është ende në vazhdim e sipër).
U miratua ligji nr. 35/2023, që përcakton kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe për pagën bazë minimale në shkallë vendi. Nëpërmjet miratimit të këtij ligji: (i) u krijua një kuadër rregullator i konsoliduar për kompetencat e caktimit të pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të tjera të të punësuarve në administratën publike; (ii) të punësuarve të administratës publike u njihet e drejta edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, përveç pagës dhe shpërblimit për rezultate në punë; (iii) i jepet zgjidhje nevojës për të siguruar pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit.
U miratua ligji nr. 34/2023, nëpërmjet të cilit u realizua: (i) përcaktimi i raporteve të drejta të pagës së titullarëve të institucioneve të pavarura dhe funksionarëve politikë, me pagën e Presidentit; (ii) rritja e pagës për titullarët e institucioneve kushtetuese e të pavarura dhe të institucioneve të tjera të pavaruara të krijuara me ligj në masën 35 – 95%.
U rrit paga minimale në shkallë vendi dhe pagat e punonjësve të tjerë mbështetës në masën 9.3% – 17.65%.
U realizua reforma e elementëve përbërës të pagës bruto mujore për nëpunësit civilë dhe nëpunësit të tjerë me të njëjtën strukturë page, si dhe u rritën pagat e tyre në masën 15% – 46%.
U rritën pagat për titull/gradë/kategori, për punonjësit e personelit akademik në institucionet Publike të Arsimit të Lartë, nëpërmjet rritjes së kufijve minimalë mesatarisht me 20% dhe të kufijve maksimalë mesatarisht me 30%.
U rritën pagat e shërbimit diplomatik në masën mesatarisht 20%.
U rritën pagat e punonjësve në institucionet e shërbimit shëndetësor: (i) në masën 50000 lekë për mjekët e specialiteteve dhe; (ii) 7% për pjesën tjetër të punonjësve.
U rritën pagat për Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardën e Republikës, arsimin parauniversitar, pushtetin vendor dhe punonjës të tjerë të administratës publike në masën 7% – 10% etj.
Ashtu siç edhe pritej, rritja e pagave ka patur impakt të drejtpërdrejtë jo vetëm në motivimin e stafeve, por edhe në konkurrueshmërinë e administratës publike në raport me sektorin privat.
Duke u ndalur tek rekrutimi, fillimisht vlen të theksohet se gjatë vitit 2023 përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore nga data 14.04.2023 – 14.05.2023, Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse për mirëadministrimin e shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore, vendosi pezullimin e procedurave administrative të rekrutimit, të shpallura në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike.
Gjithashtu, duke filluar nga muaji qershor, institucionet e administratës shtetërore ju nënshtruan një procesi të ndryshimit të strukturave dhe organikave të tyre, për t’i përshtatur ato me vendimet e reja të pagave të miratuara në muajin Maj 2023. Kjo ndikoi në mënyrë të ndjeshme në procedurat e rekrutimit, duke sjellë për pasojë edhe pamundësine e publikimit të vendeve vakante të planifikuara, e si rrjedhim edhe në një përqindje më të ulët të plotësimit të vendeve vakante.
Gjatë vitit 2023 janë zhvilluar 584 procedura konkurrimi, nëpërmjet të cilave janë shpallur 1082 pozicione të lira. Gjatë vitit 2023 janë plotësuar 838 pozicione vakante. Shkalla e zbatimit të planit vjetor të pranimit, sipas planifikimit në VKM-në nr. 44, datë 1.2.2023, “Për planin vjetor të pranimit, për vitin 2023, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil”, të ndryshuar është në masën 72%, ndërkohë shkalla e zbatimit të planit sipas pozicioneve të shpallura është në masën 77%.
Gjatë vitit 2023, janë rekrutuar nëpunës të rinj në administratën shtetërore nëpërmjet procedurës së pranimit në kategorinë ekzekutive, emërimeve nga lista fituese e kategorisë ekzekutive dhe emërimeve nga jashtë sërbimit civil në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, gjithsej 443 nëpunës, ose 51.55% e totalit të emërimeve, nga cilët 405, ose 48.3% e të gjitha emërimeve i përkasin kategorisë ekzekutive dhe 27, ose 3.2% i përkasin kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese
Përqindja e vendeve vakante të plotësuara me kandidatë nga jashtë shërbimit civil vetëm për kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, ka qenë 11.25% e emërimeve totale në këto dy kategori.
79% e vendeve vakante të hapura për rekrutim nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese nëpërmjet rregullit përjashtues të 20%, është plotësuar me kandidatë nga jashtë, gjë që tregon se kjo metodë ka rezultura e suksesshme dhe është rritur interesi i kandidatëve të kualifikur për t’u punësuar në administratën shtetërore.
Nga analiza e të dhënave në lidhje me lirimet vihet re se gjatë vitit 2023 numri total i lirimeve në krahasim me vitin 2022, është rritur me 12.5%. Gjithashtu, vihet re se për vitin 2023, në krahasim me vitin 2022, janë: (i) ulur me 15% rastet e lirimeve me dorëheqje; (ii) ulur me 5% rastet e lirimeve për arsye të plotësimit të moshës së pensionit; (iii) rritur me 42.1% rastet e lirimeve për shkak të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”; (iv) ulur me 50% rastet e lirimeve për shkak të ristrukturimit.
Sa i takon procesit të masave disiplinore gjatë vitit 2023, vihet re se:
numri total i tyre në krahasim me vitin 2022, është rritur me 42.6%. Gjithashtu, konstatojmë se për vitin 2023, në krahasim me vitin 2022, janë: (i) rritur me 42.1% rastet e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”; (ii) rritur me 33.3% rastet e masës disiplinore “Mbajtje deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj”; (iii) rritur me 96.3% rastet e masës disiplinore “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet, përfshirë rritjen në shkallën e pagës”; (iv) ulur me 31.6%, rastet e masës disiplinore “Vërejtje”.
numri i nëpunësve civilë, të cilët kanë qenë subjekt i masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil” ishte 27 nëpunës ose 27.8% e totalit të nëpunësve që kanë qenë subjekt i masave disiplinore. Sipas kategorive të klasifikimit të pozicioneve, subjekt i kësaj mase ishin 14.8% e nëpunësve të kategorisë së ulët drejtuese ose 4 nëpunës dhe 85.2% e nëpunësve të kategorisë ekzekutive ose 23 nëpunës.
Sa i takon zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë rezulton se:
në fund të vitit 2023 rezulton se duke filluar nga vitit 2014 janë zbatura gjithsej 404 vendime, në krahasim me 380 që ishin në fund të vitit 2022;
Janë regjistruar për gjykim në gjykatën administrative të shkallës së parë 46 raste të reja, nga 48 që ishin gjatë vitit 2021, ose 4.2% më pak;
nga 9 çështjet e përfunduara në gjykim në shkallën e parë, për 7 prej tyre, ose 77.8% është rrëzuar kërkesë padia e nëpunësit, pra janë në favor të institucionit;
nga 9 çështjet e përfunduara në gjykim në shkallën e parë, për 2 prej tyre, ose 22.2% është pranuar kërkesë padia, pra janë në favor të nëpunësit;
nga 46 raste të reja të regjistruara për gjykim në gjykatën adminstrative të shkallës së parë për vitin 2023, rezulton se 22 prej tyre (ose 47.8%) lidhen me përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil, prej të cilave 3 çështje i përket nëpunësve civilë të kategorisë së mesme drejtuese, 3 çështje i përkasin nëpunësve civilë të kategorisë së ulët drejtuese, 16 çështje i përkasin nëpunësve civilë të kategorisë ekzekutive.
Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të nëpunësve civilë të administratës publike, Gjatë vitit 2023 ASPA ka zhvilluar trajnime në klasë, trajnime për trajnerë, trajnimin e detyrueshëm, si dhe sesione informuese. Në mëyrë të përmbledhur evidentojmë sa vijon:
Gjatë vitit 2023, janë trajnuar 5678 individë me një ndjekje të programeve të trajnimit mbi 11052 pjesëmarrësish. Gjatë kësaj periudhe, në përmbushje të nevojave për trajnim, ka vijuar puna për hartimin e kurrikulave të reja, me mbështetjen edhe të programeve dhe donatorëve me të cilët ASPA bashkëpunon. Në kuadër të vijimit të shërbimeve dhe cilësisë së tyre, gjatë vitit 2023 janë rekrutuar 27 trajnerë të rinj për t’u angazhuar në trajnimet për fusha të ndryshme.
Sa i takon Sistemit Informatik për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) gjatë vitit 2023 ka filluar puna për rishikimin tërësor, si përsa i përket organizimit të sistemit dhe teknologjisë, ashtu edhe për proceset e punës. Zbatimi i procesit të rishikimit të sistemit do të zhvillohet në disa faza dhe parashikohet që sistemi të jetë operativ me të gjitha funksionalitetet në vitin 2028. Një ndër funksionet kryesore që do të zhvillohet lidhet me gjenerimin automatik të listës së pagave të institucioneve, që do të mundësojë llogaritjen elektronike të pagave dhe të kostos së tyre për institucionet publike dhe do të japë mundësi për kryerjen më lehtë të skenarëve për politika të caktuara në këtë fushë.
Të nderuar kolegë, kjo ishte një përmbledhje e arritjeve të DAP përgjatë vitit 2023. Jam e hapur edhe unë për pyetjet tuaja.
Ju faleminderit.