Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Kolegë të nderuar,
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë,

Është një kënaqësi e veçantë që jemi sot të gjithë bashkë, ashtu siç në fakt jemi shpeshherë tashmë, gjithnjë e më shpesh, për shkak të një procesi shumë të shpejtë, por njëherazi, besoj shumë shpërblyes të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Shqipëria ndodhet aktualisht në një fazë me rëndësi kritike për avancimin e procesit të negociatave. Kemi hapur 33 kapituj në një periudhë kohe record, për më pak se 13 muaj. Kemi nisur tashmë numërimin mbrapsht, sepse na ndajnë vetëm 22 muaj nga afati i dhjetorit 2027, kohë në të cilën kemi dakordësuar me Komisionin Evropian mbylljen e procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Natyrisht, përgjatë këtij rrugëtimi, të cilin e kemi ndarë bashkërisht në një pjesë të konsiderueshme të tij, progresi ynë nuk vlerësohet vetëm nga ambicia fillestare e reformave; nuk vlerësohet vetëm nga arritjet e para të dukshme në disa fusha, përfshirë këtu sistemin e drejtësisë. Ai vlerësohet nga qëndrueshmëria reale dhe funksionimi real i sistemeve mbi baza standardesh në praktikë.

Dhe natyrisht, në këtë kuadër, infrastruktura gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë në tërësinë e vet luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Jo vetëm si një projekt ndërtimi, por si një kusht i domosdoshëm për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Përgjatë procesit të negociatave, Komisioni Evropian ka një pritshmëri të ndjeshme dhe konkrete në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore në tërësinë e saj, sidomos duke u fokusuar në garantimin e kushteve dhe standardeve për sallat e gjyqit, standardeve për ruajtjen e arkivës gjyqësore, si dhe standardeve që lidhen me garantimin e infrastrukturës teknologjike, e cila siguron transparencë përgjatë proceseve gjyqësore.

Dua këtu të sjell në vëmendje një proces që e kemi nisur bashkërisht me kolegun negociator të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, z. Dobi, me institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, siç është Këshilli i Lartë Gjyqësor, si edhe me Prokurorinë e Përgjithshme.
Bëhet fjalë për një proces shumë të qartë planifikimi dhe një fazim real të përmbushjes së nevojave infrastrukturore të sistemit të drejtësisë; një plan i cili i është përcjellë Komisionit Evropian pikërisht për të garantuar që jo vetëm Shqipëria e ka shumë të qartë këtë rrugëtim, por mbi të gjitha që, duke nisur që nga sot, po merr masa konkrete për ta sjellë në jetë këtë vizion për modernizimin e infrastrukturës së sistemit gjyqësor në tërësinë e tij.

Paralelisht, përgjatë vitit 2025, ne kemi përmbushur një nga kërkesat kryesore të Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, i cili mundëson që Shqipëria të përfitojë mbështetje buxhetore konkrete dhe specifike, pikërisht për të garantuar një sistem drejtësie efikas në praktikë dhe që, mbi të gjitha, garanton ofrimin e shërbimeve të drejta dhe të shpejta ndaj qytetarëve.
Në këtë kuadër, është garantuar përmbushja e nevojës për sigurimin e mjediseve të përshtatshme për Gjykatën e Apelit, si një kërkesë imediate, por mbi të gjitha për të mundësuar një tranzicion të mirëfilltë drejt një procesi të plotë të garantimit të infrastrukturës gjyqësore në një nga gjykatat më të rëndësishme të vendit.

Gjithashtu, edhe mbështetja financiare për sistemin ka ndjekur të njëjtën logjikë, teksa sot flasim për një projekt të ri të një poli të ri drejtësie. Mbetet e nevojshme të përmendet se mbështetja financiare për garantimin e infrastrukturës gjyqësore dhe për nevojat imediate të sistemit është domosdoshmëri për t’u përmbushur, ndërkohë që një projekt më i madh është në zhvillim e sipër.
Duke marrë parasysh faktin që vetëm në buxhetin e vitit 2026 është garantuar një mbështetje shtesë financiare prej 5 milionë lekësh, kjo mbështetje i shtohet një harku kohor gati një dekade që nga fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi, me një mbështetje totale për sistemin në masën rreth 1.6 miliardë lekë.

Të gjitha këto përpjekje nuk janë të izoluara, por janë pjesë e një plani shumë të qartë për të modernizuar sistemin dhe për të garantuar që qeveria shqiptare është një aktor i rëndësishëm në mbështetjen e sistemit të drejtësisë, jo vetëm nga pikëpamja e infrastrukturës fizike, por edhe nga pikëpamja e infrastrukturës digjitale.

Ka qenë dhe mbetet një nevojë thelbësore e sistemit adresimi i modernizimit të plotë të sistemit digjital të funksionimit të gjykatave. Në sajë të mbështetjes buxhetore, por edhe në sajë të angazhimit të fondeve IPA të BE-së, ka nisur tashmë procesi i ngritjes së sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve në gjykata dhe në prokurori.
Besojmë që brenda afateve të përcaktuara dhe të dakordësuara me Komisionin Evropian, brenda vitit 2027, do të kemi një sistem që do të mund të vihet plotësisht në funksion, në mënyrë që brenda kësaj dekade qytetarët shqiptarë realisht të prekin drejtësinë digjitale.
Natyrisht, të gjitha këto përpjekje vijnë në kuadër të përshpejtimit të ndjeshëm të të gjitha detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të negociatave. Ky është një vrap që ka nisur dhe do të intensifikohet në muajt në vijim.
Gjej rastin të falënderoj të gjithë kolegët e pranishëm sot, por përmes tyre edhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë, në prapaskenë, bashkë me ne, si një trup i vetëm përballë Brukselit, për të garantuar që standardet e kërkuara ndaj Shqipërisë të jenë plotësisht në përputhje me standardet evropiane.

Të gjitha këto përpjekje dëshmojnë se angazhimet tona për ta çuar reformën në drejtësi në një stad tjetër janë reale dhe konkrete. Një stad që i përshtatet jo vetëm ambicies së Shqipërisë të nisur 10 vite më parë, por mbi të gjitha standardeve evropiane të dhënies së drejtësisë në kohë, me transparencë të plotë dhe, mbi të gjitha, në funksion të qytetarëve.

Faleminderit.