Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

E nderuar Kryesuese e Seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,

Paraqesim sot përpara jush projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, e cila vjen si një nismë për të formalizuar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë veprimtarinë e lobimit si një veprimtari e ligjshme, transparente dhe e gjurmueshme.

Deri më sot nuk ka patur një kuadër ligjor specifik që rregullon lobimin në Republikën e Shqipërisë. Kuadri ekzistues adreson vetëm pjesërisht disa aspekte të sjelljes së zyrtarëve publikë në raport me subjektet që interesohen të ndikojnë në proceset vendimmarrëse, por pa rregulluar lobimin si veprimtari të veçantë.

Ndaj, ky projektligj sot merr rëndësi specifike pikërisht sepse ka një qëllim primar: t’i bëjë të përgjegjshme ndërveprimet e grupeve të interesit me institucionet publike, si dhe çdo formë ndikimi mbi politikat dhe vendimet publike në interes të qytetarëve.

Kjo nismë është pjesë integrale e paketës ligjore antikorrupsion që ndërmerret në kuadër të avancimit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, si dhe pasqyron qartë konkretizimin e angazhimit tonë për t’i qëndruar besnikë zotimeve që kemi marrë në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës dhe në Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030. Njëherësh, kjo nismë e pozicionon vendin tonë në një linjë të qartë përafrimi me standardet e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisjen e hapur, transparencën dhe integritetin publik.

Ky projektligj i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi publik me të gjithë subjektet e interesuara përgjatë muajve tetor dhe nëntor, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik.
Përtej konsultimit në platformën elektronike, më datë 26 nëntor është organizuar edhe një tryezë konsultimi me organizatat e shoqërisë civile, me pjesëmarrjen fizike të rreth 50 përfaqësuesve, dhe thënë këto, projektligji reflekton në mënyrë të dokumentuar dhe ky është raporti final i konsultimit publik të projektligjit, ku vlerësimet dhe komentet e dhëna gjatë fazës së konsultimit publik janë administruar 96 komente nga 14 subjekte të ndryshme, nga të cilat mbi 70% e tyre janë pranuar plotësisht ose pjesërisht dhe janë adresuar në projektligj, dhe ndaj gjej rastin këtu të falënderoj të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe shoqatave të biznesit që u angazhuan shumë profesionalisht në këtë dialog të konsultimit publik. Vlerësimi i çdo sugjerimi dhe komenti të ardhur përgjatë procesit të konsultimit publik është bërë në mënyrë objektive, të arsyetuar dhe transparente, dhe raporti individual, sikurse përmenda, është publikuar në Regjistrin Elektronik të Njoftimeve dhe Konsultimeve Publike.

Drafti është konsultuar gjerësisht me partnerët tanë, është dakordësuar fjali me fjali me Komisionin Evropian, si dhe gjithashtu është konsultuar gjerësisht me ekspertët e Këshillit të Evropës, në mënyrë sistematike përgjatë fazave të hartimit të projektligjit, dhe është përafruar me standardet më të mira evropiane.

Ky projektligj gjithashtu është diskutuar në 4 komisione parlamentare, përkatësisht në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Komisionin e Ekonomisë, Financave dhe Punësimit, dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku për fat të keq kolegët e opozitës nuk kanë qenë të pranishëm për të diskutuar projektligjin dhe në mënyrë evidente nuk mund të legjitimohen sot dhe të ngrenë pretendime që ky projektligj nuk është konsultuar mjaftueshëm me ta.

Ndaj, çdo lloj përpjekjeje për të hedhur hije mbi procesin e ndjekur për hartimin e projektligjit është jo vetëm e pavend, por lehtësisht e kundërshtueshme përmes fakteve konkrete dhe realitetit të diskutimit dhe debatit të zhvilluar për hartimin e këtij projektligji.

Ndaj, në kushtet kur procesi është zhvilluar në mënyrën më optimale të mundshme, gjykoj se jemi para nevojës sot për të mbështetur këtë nismë të re legjislative dhe të gjitha risitë që ajo sjell.

Ligji normon për herë të parë regjistrimin e detyrueshëm të lobistëve dhe krijimin e Regjistrit të Lobimit, ku do të publikohet informacion i qartë dhe periodik mbi:

  • kush lobon,
    • në emër të kujt lobon,
    • për çfarë lobon,
    • dhe me cilat institucione apo me cilët zyrtarë publikë.

Njëkohësisht, projektligji bën një dallim të qartë mes lobimit si një veprimtari e strukturuar kundrejt një kontrate dhe një pagese dhe veprimtarive të tjera që ushtrohen nga grupe interesi të krijuara në formën e organizatave të shoqërisë civile ose aktivistëve, që janë në ushtrim të të drejtave themelore demokratike, si pjesëmarrja në konsultime publike, aktivitetet akademike apo shprehja e mendimit publikisht në media, të cilat nuk konsiderohen dhe nuk mund të konsiderohen lobim.

Ligji do të zbatohet për një gamë të gjerë zyrtarësh publikë, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, si dhe për çdo subjekt që synon të ndikojë në vendimmarrjen publike. Si lobistët, ashtu edhe vetë zyrtarët publikë do të kenë detyrimin të deklarojnë kontaktet dhe komunikimet që zhvillojnë me lobistët.

Projektligji adreson gjithashtu parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve vendimmarrëse, përfshirë edhe ndalime konkrete për zyrtarët publikë pas largimit nga detyra për të mos u përfshirë në veprimtari lobimi që lidhet drejtpërdrejt me fushën e vendimmarrjes së tyre gjatë ushtrimit të detyrës, për periudha kohe të paracaktuara shprehimisht në ligj.

Zbatimi dhe mbikëqyrja e ligjit do t’i besohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, një autoritet i pavarur me përvojë në fushën e transparencës. Ky institucion do të administrojë Regjistrin e Lobimit, do të verifikojë të dhënat e deklaruara, do të kryejë kontrollin e respektimit të detyrimeve ligjore si dhe do të vendosë masa administrative në rast shkeljesh. Përgjatë procesit të kostimit të projektligjit kemi treguar vëmendje të veçantë për të adresuar nevojat shtesë për kapacitete njerëzore dhe burime financiare që do t’i nevojiten zyrës së Komisionerit për të garantuar një zbatim solid të këtij ligji kur ai të miratohet.

Kjo qasje siguron që një autoritet i pavarur, sikurse është zyra e Komisionerit, me përvojë tashmë të dëshmuar qartë në fushën e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave, të jetë një garanci për zbatim efektiv dhe të paanshëm të këtij ligji.

Të nderuar kolegë deputetë,

Me miratimin e këtij projektligji, ne i japim një shtysë kyçe të gjithë makinerisë së parandalimit të korrupsionit në administratën publike dhe forcimit të mureve të mbikëqyrjes ndaj ndikimit të paligjshëm në qeverisje dhe vendimmarrje, jo vetëm si një kërkesë që buron nga procesi i linjëzimit tërësor me standardet e anëtarësimit në BE, por si një nevojë e domosdoshme për të pasur këtu, në Shqipëri, standarde evropiane në përditshmërinë tonë administrative dhe vendimmarrëse.

Prandaj, ju ftoj ta mbështesim dhe ta miratojmë këtë nismë ligjore, si një investim i qenësishëm në transparencën e vendimmarrjes publike, konsolidimin e qeverisjes së hapur dhe formësimin dita-ditës të së ardhmes së afërt evropiane të Shqipërisë.

Ju faleminderit!