Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Të nderuar,

Jam vërtet e nderuar të hap sot siparin e Konferencës së Dytë Rajonale të UNODC për zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, që e shndërron Tiranën sërish në një platformë të madhe rajonale me prezencën e nderuar të pjesëmarrësve nga Ballkani Perëndimor, për të udhëhequr më tej rrugëtimin tonë të deritanishëm në zbatimin e Konventës.

Shqipëria mbtetet tërësisht e angazhuar për të vijuar rigorozisht zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Konventa, theksuar në mënyrë shumë vokale në mbështetje të rezolutës finale të Konventës së Shteteve Palë në Atlanta 2023, duke theksuar se mbetemi të dedikuar ndaj promovimit të integritetit, përgjegjshmërisë dhe transparencës në luftën kundër korrupsionit, me bindjen e plotë, se kemi bërë shumë rrugë përpara, por ende ka shumë për të bërë për të crrënjosur themelet e korrupsionit.

Shqipëria nuk ka humbur kohë në përmbushjen e zotimeve në kuadër të UNCAC. Shqipëria ka përqafuar dhe zbatuar tashmë një qasje gjithëpërfshirëse në parandalimin, ndëshkimin dhe ndërgjegjësimin ndaj luftës kundër korrupsionit, Pothuaj 8 vite më parë, dizenjuam dhe nisëm zbatimin e reformës në drejtësi, reformë e cila jo vetëm po rishkruan faqen e re të Shqipërisë evropiane të shek. XXI, por është shndërruar në “kalin tonë të betejës” avancimin e procesit të aderimit në Bashkimin Evropian.

Me bindjen se vetëm një reformë në thellë në drejtësi, që targeton pikërisht jetësimin e atyre parimeve të UNCAC për garantimin e ndëshkueshmërisë ndaj korrupsionit, si një fenomen që gërryen jo vetëm moralin shoqëror e shtetëror, por kthehet në pengesë serioze për zhvillimin e ekonomik të vendit, kjo reformë e paprecedentë dhe për të cilën ishim të ndërgjegjshëm që në krye të herës se nuk do të ishte e lehtë, përfshinte padyshim masa drastike që synonin thellimin e luftës kundër korrupsionit.

Si pjesë thelbësore e reformës në drejtësi që në gjenezën e saj, ishte dhe krijimi i Prokurorisë së Posacme dhe Gjykatave të Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilat sot jo vetëm janë tërësisht funksionale, por edhe në perceptimin e publikut, janë ndër institucionet më të besueshmë për luftën ndaj korrupsionit. Ndaj, gradualisht besimi i qytetarëve në një sistem drejtësie të lirë e të pavarur nga pushteti po ndërtohet, dhe është detyrë kolektive e të gjithë aktorëve shtetërorë e joshtetërorë për të garantuar që ky besim të rritet dhe të mos cënohet në asnjë rast.

Përpos konsolidimit të një sistemi drejtësie rezultatet e të cilin flasin vetë dita ditës, Qeveria Shqiptare ka garantuar në vijimësi plotësimin e cdo nevoje për buxhetim të institucioneve të reja të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Jemi të bindur që vetëm përmes mbështetjes së pakursyer, mundi dhe guximi i të gjithë profesionistëve që shërbejnë në këto institucionet të reja të drejtësisë penale do të marrë vëmendjen e merituar, por edhe shpërblimin sipas standardeve më të larta përmes një sistemi pagash që tejkalon dhe piramidën e pagave të të gjithë institucioneve të tjera publike.

Natyrisht përvec një sistemi drejtësie penale, ka qënë dhe mbetet detyrë kolektive e të gjithë institucioneve të tjera përgjegjëse në parandalimin dhe ndërgjegjësimin për fenomenin e korrupsionit rritja e standardet si në drejtim të forcimit të transparencës, parandalimit të konfliktit të interesit, por dhe ngritjes së mureve mbrojtjës ndaj korrupsionit.

Në këtë kuadër institucional, u prioritizua agjenda kundër korrupsionit si një ndër shtyllat e avancimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri përmes krijimit të pozicionit të dedikuar të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin për të sinergjizuar punën e institucioneve të ekzekutivit në raport me politikat antikorrupsion të qeverisë, por edhe për të garantuar rritjen e standardit të integritetit dhe funksionimit të administratës si dhe zbatimin e të gjithë zotimeve në nivel ndërkombëtar të ka Shqipëria në këtë fushë, përfshirë dhe zbatimin rigoroz të detyrimeve që burojnë nga Konventa e UNCAC.

Së shpejti do të lancojmë për konsultim publik kuadrin e ri strategjik antikorrupsion 2024 – 2030, ku në fokus do të kemi ndër të tjera, thellimin e masave në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare që ka Shqipëria në kuadër të rrugëtimit të saj për aderimin në BE, përfshirë dhe përqafimin e një qasje sektorale të luftës kundër korrupsionit në sektorët më të ndjeshëm dhe edukimin e shtuar për integritetin dhe ligjshmërinë, si masë e fuqishme dhe me efekte afatgjata, me qëllim rritjen e një brezi shumë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e lartësimit të mureve mbrojtës së integritetit në shoqëri.

Në këtë kuadër mbetemi të dedikuar, sikurse kemi qenë pjesë që në krye të herës në Ohër 2021 që në fazën e planifikimit, hartimit dhe zbatimit të Udhërrëfyesit për Antikorrupsionin dhe Flukset e Paligjshme Financiare, një nismë e udhëhequr shumë profesionalisht nga UNODC, duke u renditur ndër juridiksionet që përqafuan planifikimin e masave për ndërhyrje në objektivë themelore të Udhërrëfyesit. Përgjatë viteve kemi ndërmarrë nisma me rënëdësi, duke i bërë këto mekanizma parandalimi korrupsioni të përdorshme dhe me impakt.

Lidhur me Parandalimin dhe luftimin e korrupsionit tek prokurimet publike, përfshirë edhe në kohë krizash, Shqipëria ka përmirësuar me agjendën e reformave në fushën e prokurimit publik në katër drejtime, siç janë: Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Prokurimit Publik e cila gjithashtu është rikonceptuar së fundi dhe është jetëzuar për zbatim për vitet 2024-2030;

Përmes ndryshimeve ligjore në ligjin për prokurimin publik në mars të këtij viti, janë vendosur gurë të tjerë themeli në thellimin e integritetit në procedurat e prokurimit publik, rritjes së profesionalizmit të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në ciklin e prokurimit publik përmes certifikimit, minimizimit të ndërhyrjes së paligjshme njerëzore në proces dhe injektimit të teknologjisë më të avancuar të inteligjencës artificiale, për të zvogëluar në minimum tendenca ndërhyrje, në procesin e hartimit të kritereve dhe më pas në kontrollin e zbatimit të kontratave.

Një tjetër pikë me rënëdisi për këtë Udhërrëfyes është forcimi i mëtejshëm i sistemeve për deklarimin e pasurisë, një proces administrativ dhe kontrolli i suksesshëm i nisur prej disa vitesh, dhe finalizuar me sukses shoqëruar me një proces të gjerë trajnimi nga të gjitha njësitë e burimeve njerëzore, për ta bërë deklarimin e pasurisë proces efektiv në fakt, por mbi të gjitha për t’i hapur rrugë transparencës së plotë dhe në kohë sa më të shpejtë mbi pasurinë e zyrtarëve publikë. Vënia në funksionim të plotë të këtij sistemi nga ILDKPKI ka marrë vlerësimin “zbatuar plotësisht” edhe në raundin e V-te të vlerësimit në GRECO, që në fazën e parë të tij, në dhjetor 2022.

Parë si si një prej objektivëve të Udhërrëfyesit të Ohrit 2021, autoritetet shqiptare kanë qenë të angazhuara në bashkëpunimin me organet ligjzbatuese të juridiksioneve të rajonit, përmes ndër të tjera, krijimit të një rrjeti rajonal të prokurorëve të specializuar, si dhe fakti që prokuroritë në Shqipëri i janë bashkuar nismës së Rrjetit Global të Operacioneve të Zbatimit të Ligjit Anti-Korrupsion (GlobE NETWORK) si një mjet efikas forcimin e shkëmbimit të komunikimit dhe mësimit të kolegëve dhe shkembimit të rasteve të suksesit. Dhe për më tepër, këto dy autoritete shqiptare janë bërë pjesë edhe e Rrjetit të GlobE rajonal (për vendet rajonit tonë) me pjesëmarrjen në njoftimin e deklaratës së ngritjes së tij, në shtator 2023, pranë UNODC në Vjenë.

Ndaj, nisur nga impakti i Udhërrëfyesit të 2021, jemi të bindur se dhe puna që do të konkretizohet këto ditë në Tiranë për hartimin e Udhërrëfyesit të ri, do të konsolidojë më tej bashkëpunimin midis të gjithë strukturave përgjegjëse përgjatë rajonit, por do të vijojë me sukses këtë traditë të mirë të ngritur tashmë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Natyrisht që ndaj sfidave të përbashkëta që tejkalojnë kufijtë e një shteti, mirënjohja jonë drejtohet ndaj atyre që i kushtojnë energjitë e kohën që këto sfida t’i përballim bashkërisht, duke sjellë ekspertizën më të mirë në funksion të ngritjes së mekanizmave cilësor për të luftuar korrupsionin.

Ndaj, gjej rastin të shpreh mirënjohjen ndaj UNODC, dhe të gjithë partnerëve ndihma e të cilëve ka qenë dhe vazhdon mbetet me rëndësi themelore, jo vetëm për të avancuar reformat antikorrupsioni, por dhe për të linjëzuar të gjithë aktorët e rajonit në këtë fushë përmes një qasje të harmonizuar dhe bashkëpunuese për t’iu afruar të gjithë bashkë, cdo ditë e më shumë, standardeve që synojmë të forcojmë e promovojmë në luftën kundër korrupsionit. E kam theksuar rëndësinë e kësaj mbështetje nga UNODC edhe në fjalën time në Atlanta dhe mbetem e bindjes se dhe Udhërrëfyesi i Ri i Tiranës, produkt i këtij laboratori tashmë që ka dëshmuar se është në lartësinë e kërkuar, do të jetë po aq i frytshëm.

Ju uroj punime të mbara dhe faleminderit për të gjithë dedikimin tuaj të vazhdueshëm në këtë proces që na bën të gjithëve bashkë për Agjendën 2030 për Zhvillim të Qendrueshëm!