Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

I nderuar Kryeministër,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar drejtues të institucioneve të pavarura,

Të nderuar kolegë të administratës publike që i jeni bashkuar takimit sot, dëshiroj ta nis këtë fjalë me një mirënjohje dhe përshëndetje të veçantë për të gjithë ju këtu. Por gjithashtu edhe më një falenderim shumë të posaçëm, për bashkëiniciatorin e kësaj konference të sotme, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Z. Dervishi, që jo vetëm përqafoi idenë për të patur një panoramë të aktualizuar të gjendjes së zbatimit të legjislacionit për të drejtën për informim, por gjithashtu edhe për problematikat që kanë shoqëruar ndër vite hapjen graduale të institucioneve drejt standardeve të transparencës, por edhe rrugëtimin që kemi të gjithë bashkë përpara, së bashku dhe me aktorët e shoqërisë civile, me median, por edhe të gjithë partnerët që na asistojnë në këtë proces.

Në kontekstin shqiptar diskutimi publik mbi transparencën merr ngjyrimet e diktuara nga gjurmët e tranzicionit. Nga trashëgimia e një të shkuare orvelliane ku shteti kishte sytë mbi gjithçka e gjithkënd, ku aparati shtetëror ishte krijues por njëherësh dhe konsumator i vetëm i dokumentacionit zyrtar, tek një sistem ku gradualisht sytë e kujtdo drejtohen nga shteti. Kështu, bashkë me zhvillimin aspak të lehtë të demokracisë në Shqipëri, u lidh pazgjidhshmërisht në Kushtetutë e ligj e drejta për t’u informuar mbi veprimtarinë publike, por njëherësh dhe përgjegjësia e institucioneve publike për të ofruar informacion, si një shërbim i dedikuar dhe detyrim i trupëzuar në çdo organ publik.

Ky vit shenjon një dekadë nga miratimi i ligjit “Për të drejtën e informimit”, një ligji që është një pikënisje për kuptimin, pranimin dhe zbatimin e një qasje të re, efektive të të drejtës për informim. Me kalimin e viteve pati një proces gradual të shtimit të autoriteteve publike që kanë detyrim të zbatojnë programin e transparencës nga 145 institucione në vitin 2015 në 332 në vitin 2023, sikurse edhe prej vitit 2018 u vu në funksionim regjistri qendror i kërkesave dhe përgjigjeve, i cili sot është funksional në 222 autoritete publike, duke vendosur kështu themelet e një shtrirje kapilare të sistemit të dhënies së informacionit.

Me fokus forcimin e efektivitetit të zbatimit të transparencës në praktikë, në 2023 u mundësua përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat që buronin nga realiteti institucional i zbatimit të këtij ligji. Amendimet e ligjit adresuan gjetjet e Komisionit Evropian për t’i dhënë zgjidhje praktike procesit të dhënies së informacionit, duke ngarkuar me përgjegjësi themelore titullarët e institucioneve dhe duke ndarë kështu përgjegjësinë e koordinatorit të së drejtës së informimit, i cili mbetet pika e vetme e kontaktit me qytetarin, median dhe kolegët e shoqërisë civile. Ligji njeh një trajtim të veçantë për koordinatorin përmes akordimit të shtesës në pagë, për t’iu qasur këtij detyrimi me më shumë motivim.

Paralelisht, po në vitin 2023 Shqipëria bëri një hap cilësor përpara, përmes miratimit të ligjit për të dhënat e hapura dhe për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, për të vënë në dispozicion të publikut përmes portalit opendata.gov.al një koleksion të gjerë informacioni për sektorë të ndryshëm, duke nisur nga shëndetësia, arsimi, financat, përmes publikimit deri më sot nga AKSHI të 92 setesh të dhënash nga 8 ministri dhe 5 institucione varësie me rëndësi për të dhënat që gjenerojnë dhe ruajnë.

Në kuadër të zbatimit të programit GovTech në bashkëpunim me Bankën Botërore, AKSHI do të synojë jo vetëm përmirësimin e cilësisë dhe përdorshmërisë së këtyre të dhënave, por do të synojë promovimin për të gjithë përdoruesit potencial të këtij portali. Një varianti i ri dhe shumë më i pasuruar i këtij portali, do të vijë në përdorim për të gjithë, dhe për analogji me zbatimin e legjislacionit të së drejtës për informim, Komisioneri është institucion rojtar i detyrimeve që burojnë nga ligji, pasi zbatimi i tij është nën lupën rigoroze të këtij institucioni.
Këto zhvillime, nuk e zbehin megjithatë nevojën për të mos shkëputur vëmendjen nga pikat nevralgjike që minojnë performancën institucionale të administratës sonë shtetërore në drejtim të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies. Ndaj edhe praktikat e përmendura nga Komisioneri dhe shqetësimet e ngritura, janë një përvojë e pamohueshme e rasteve të cilat jo vetëm nuk i bëjnë drejtësi, por cënojnë misionin që aspiron kuadri ligjor për transparencë dhe më shumë integritet në ushtrimin e funksioneve publike.
Duke hedhur përditë e më shumë dritë mbi punën e adminsitratës, krijojmë një premisë për të sheshuar skepticizmat në perceptim, paragjykime në vendimmarrje, dhe mbi të gjitha, çdo dyshim në integritet. Transparenca mbi punën mbetet një ushqyes i pazëvendësueshëm i besimit, por, ky besim mund të ushqehet vetëm nga angazhimi proaktiv i të gjithëve ne për të bërë pjesë të përditshmërisë së punës tonë praktikat e hapjes së institucioneve dhe niveli i këtij angazhimi, nuk mundet të ndikohet nga vetëm nga kërcënimi i gjobës, por nga brendësimi i një kulture se aksesi tek publikja i përket të gjithëve.

Sot, paraqitet si nevojë absolute që të reduktojmë problematikat krejtësisht të shmangshme në transparencën e informacionit për publikun, të cilat gërryejnë në mënyrë të panevojshme imazhin dhe punën e zyrtarëve publikë. Sot më shumë se kurdoherë, falë bekimit të teknologjisë duhet jo vetëm të tejkalojmë këto problematika, por paralelisht duhet t’i kushtojmë vëmendje modernizimit dhe inovacionit në funksion të lehtësisë së marrjes së informacionit, perfeksionimit të mënyrave për t’a bërë atë më të aksesueshëm për të gjithë, pa patur nevojën shpesh herë për të investuar institucionin përmes koordinatorit, por duke pasuruar faqet e internetit, duke investuar në lidhje me programin e transparencës ashtu sikundër e përmendi Komisioneri, dhe duke pasqyruar në kohë reale në portalin e opendata, dhe të konsultimit publik, çdo lloj informacioni që u vjen në ndihmë qytetarëve, organizatave dhe medias.

Paralelisht, për të ngritur këtë nivel vetëdijësimi po punojmë për ridimensionimin e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, për t’a shndërruar atë të një qendër të mirëfilltë ekselence, përmes rishikimit tërësor të sistemit të trajnimeve, ku gradualisht kemi ambicien që të trajnojmë jo vetëm 115 koordinatorët që janë tashmë të çertifikuar, po për ta shtrirë sistemin e trajnimit tek 341 koordinatorët, dhe mbi të gjitha të gjithë drejtuesit e institucioneve publike, për të qenë gjithnjë e më shumë të ndërgjegjësuar për rëndësinë e zbatimit të ligjit.
Po aq esenciale, mbeten ndërhyrjet cilësore në progresin e nivelit të zbatimit të procesit të konsultimit publik. Vlen të theksohet se nga viti në vit, sikurse vlerësohet edhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2023, transparenca qeveritare është rritur falë publikimit të draft-dokumenteve qeveritare, përfshirë njoftimet, raportet e vlerësimit të ndikimit ligjor dhe raportet e konsultimeve publike në platformën e dedikuar online. Një hap i rëndësishëm për procesin ka qenë veçanërisht hartimi dhe hyrja në fuqi e Udhëzuesit të ri për Konsultimin Publik në vitin 2021, i cili parashion kontrolle më rigoroze për cilësinë e procesit.

Po aq domethënës për adresimin e gjetjeve të Komisionit Evropian për përmirësimin e procesit është përdorimi progresivisht i shtuar i metodave alternative të konsultimit publik, jo vetëm nëpërmjet njoftimit publik në platformën e dedikuar, por edhe nëpërmjet dëgjesave publike, takimeve konsultative dhe tryezave të rrumbullakëta, krahas dërgimit të çdo njoftimi automatik që vjen nga portali. Sot në sajë të një iniciative që kemi ndërmarrë bashkë me AKSHI-n çdo individ ose organizatë e shoqërisë civile, merr një njoftim automatik për çdo akt dhe projekt akt të publikuar në platformën e konsultimit publik, dhe vetëm në 5 muajt e fundit janë dërguar mbi 900 njoftime tek të gjithë palët e interesuara, për të shtuar jo vetëm numrin e organizatave të shoqërisë civile, por edhe cilësinë e këtij procesi.
Përgjatë procesit të konsultimit, kemi patur nderin, privilegjin por edhe kënaqësinë e veçantë, të kemi patur shumë përfaqësues të shoqërisë civile, të botës akademike, dhe jemi mirënjohës dhe nuk do të jemi asnjëherë mjaftueshëm falenderues, për të gjithë ata aktorë që i dedikojnë kohën e tyre, ekspertizën e tyre, të gjithë procesit të konsultimit publik.

Në një këndvështrim vjetor për vitin 2023, Ministritë e linjës raportuan mbi 2500 pjesëmarrës në të gjithë proceset e konsultimit publik të realizuara në tryeza, dhe ku janë marrë 382 komente dhe sugjerime, pjesa më e madhe të reflektuara në marzhin mbi 70%. Veçanërisht sa u përket shkëmbimeve konsultative me të gjithë aktorët në fushën e shtetit të së drejtës, ne kemi kënaqësinë që në fushën e antikorrupsionit kemi krijuar një rrjet prej 13 organizatash të shoqërisë civile, të cilat në mënyrë konstante konsultohen me ne, por që gjithashtu kanë qenë bashkëshoqërues në të gjitha aktivitetet tona ndërgjegjësuese në luftën kundër korrupsionit, ndaj gjej rastin t’i falenderoj.

Në vitet në vijim planifikojmë të zgjerojmë proceset e konsultimit publik në përputhje me detyrimet që burojnë nga “Udhërrëfyesi për Reformën në Administratën Publike”. Ky vizion parashikon njëherësh se në Shqipërinë 2030 procesi i konsultimit publik do të duhet të zgjerohet për legjislacionin dytësor me karakter normativ në fushat me interes të veçantë publik, si ekonomia, çështjet sociale dhe mjedisi, sipas zotimeve të ndërmarra.

Zbatimi i këtij Udhërrëfyesi do të jetë në qender të punës edhe të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për thellimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Diskutimet e sotme vijnë në një linjë me dy nga shtyllat e punës së këtij Komisioni, përkatësisht mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, dhe natyrisht jemi të gatshëm që të furnizojmë Komisionin me çdo informacion që gjykohet relevant, si dhe mirëpresim shikimin 360 gradë që Komisioni do të bëjë mbi atë çfarë kemi bërë dhe shumëçka mbetet ende për të bërë në përpjekjet drejt transparencës, llogaridhënies dhe integritetit si themele të mirëqeverisjes së Shqipërisë evropiane të 2030-ës.
Por për t’iu rikthyer vlerës së shtuar të këtij eventi të sotëm, transparenca është dhe mbetet thelbësore, si antidoti themelor ndaj çdo forme mosbesimi, për të mundësuar që veprimet e institucioneve publike të jenë të dukshme në dritën e diellit, të parashikueshme dhe të përmirësueshme.

Ndaj dhe takimi i sotëm ka një vlerë të veçantë, me një pikënisje me qasje sa kritike për të tashmen aq dhe optimiste për të ardhmen mbi sfidat e qeverisjes transparente, të cilat mund t’i shndërrojmë bashkërisht në mundësi.

Faleminderit!