Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Programi i Zhvillimit të Lidershipit për drejtuesit e lartë të administratës publike ka përfunduar, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve menaxhuese dhe përmirësimit të efektivitetit brenda administratës publike. Ky program, i cili nisi në muajin korrik 2024, u zhvillua falë një partneriteti të suksesshëm ndërmjet Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin (MAPA), Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC).

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, drejtuesit e lartë të administratës u angazhuan në trajnime intensive për të zhvilluar aftësi lidershipi dhe për të promovuar një ambient pune të motivuar dhe me rezultate të larta. Trajnimet u përqendruan në teknikat më inovatore për të nxitur frymën bashkëpunuese brenda ekipeve dhe për të zhvilluar një kulturë pozitive pune në administratën publike.

Programi i Zhvillimit të Lidershipit do të vazhdojë të ofrojë trajnime të vazhdueshme, duke kontribuar kështu në një zhvillim të qëndrueshëm dhe modernizim të mëtejshëm të administratës publike.