Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Z.Silvio Gonzato dhe disa nga ambasadorët e vendeve të BE-së vendin tonë morën pjesë në eventin përmbyllës të projektit “Young Cells Albania”.

Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, ‘Young Cells Albania’ kishte si qëllim përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe ekspertizës së 23 nëpunësve civilë të administratës publike, përmes trajnimeve, praktikave dhe vizitave studimore 12 javore në administratat e vendeve anëtare të BE-së.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni në fjalën përshëndetëse vlerësoi projektin “Young Cells Albania”, në fuqizimin e kapaciteteve të nënpunësve civilë.

“Projekti Young Cells Albania/Qelizat e Reja, është shumë më tepër se sa thjesht 23 profesionistë që kanë marrë një eksperiencë shumë të vlefshme në Bashkimin Evropian, por janë dëshmi e qartë e një administrate publike që përtërihet, përmirësohet dhe që merr nga praktikat më të mira të vendeve partnere. Bashkë me partnerët tanë ne po forcojmë kapacitetet administrative të të gjithë strukturave tona për tu përballuar me një valë të re shumë më intensive pune,” theksoi ministrja Pirdeni.

Me çeljen zyrtare të negociatave për aderimin e vendit në BE, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re shumë dinamike, ku duhet të tregojë progres në fushat kyçe. Një prej reformave kryesore është ajo në Administratën Publike, për të ndërtuar në vijimësi aparatin e një sërë funksionarësh publikë me integritet, të cilët shërbejnë me shumë përgjegjshmëri dhe profesionalizëm në funksionet publike.
Ministrja Pirdeni theksoi se Administrata Publike synon të kthehet në alternativë tërheqëse punësimi për profesionistët e rinj brenda dhe jashtë vendit.

“Në procesin e reformimit të mëtejshëm të Administratës, ne do të synojmë pikërisht që këtë masë kritike profesionistësh dhe ekspertësh që kemi dhe po ndërtojmë, jo vetëm ta mbajmë, por ta motivojmë për të dhënë më tej më të mirën e tyre. Ne jemi të bindur që iniciativa të tilla si “Young Cells Albania/Qelizat e Reja” shkojnë në këtë drejtim. Vitin e shkuar ne nisëm një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e pagave në administratën publike që tregoi se kjo duhej të shoqërohej edhe me iniciativa të tjera, të cilat targetojnë modernizimin në administratën publike. Jemi duke punuar intensivisht për ta kthyer funksionin publik në një alternativë tërheqëse për të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Përpos sistemit aktual të pagave dhe incentivave financiare dhe jo financiare që jemi duke parashikuar, ne jemi të bindur se dhe iniciativa si “Young Cells Albania” plotësojnë kurorën e ofertës sonë institucionale për t’i dhënë një mundësi gjithsecilit dhe gjithsecilës që punon në administratën publike për t’u zhvilluar profesionalisht,” tha në fjalën e saj ministrja Pirdeni.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Z. Silvio Gonzato tha gjatë fjalës së tij se përmes projektit u forcuan kapacitetet e nëpunësve civilë, të cilët do të luajnë rol thelbësor në procesin e integrimit por edhe pasi vendi të anëtarësohet në BE.
“Nevojitet një administratë publike efikase, transparente dhe e përgjegjshme për të përgatitur dhe zbatuar politika, duke përfshirë dhe në veçanti ato që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit në BE, për të ofruar shërbime efikase me cilësi të mirë për qytetarët dhe bizneset. Kjo është arsyeja pse ky projekt është fokusuar në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve të segmentit më të ri të administratës publike. Ata janë drejtuesit e ardhshëm të administratës publike dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në procesin e anëtarësimit, por edhe pasi Shqipëria të anëtarësohet në BE. Ne po mbështesim Shqipërinë për të modernizuar administratën dhe kemi bërë progres të rëndësishëm, duke modernizuar procedurat e rekrutimit që janë tashmë më transparente dhe duke rritur kapacitetet e nëpunësve civilë,” u shpreh ambasadori i BE-së Gonzato.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni falenderoi bashkëpunimin me Delegacionin e BE-së në vendin tonë si dhe gjithë vendet partnere që i’u bashkuan thirrjes për të mirëpritur dhe akomoduar në mes tyre kolegët shqiptarë.
Projekti “Young Cells Albania” është zbatuar në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Francez të Shërbimit Publik, dhe bashkëpartnerët e tjerë: Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Kehl të Gjermanisë, Universitetin e Bolonjës dhe rajonin e Emilia-Romagnas në Itali, si dhe Shkollën e Administratës Publike të Kroacisë dhe Greqisë.