Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Në një ceremoni të veçantë u zhvillua diplomimi i parë për 30 studentët e programit Master Ekzekutiv “Negociatat dhe Anëtarësimi në BE”, pranë Institutit të Studimeve Evropiane, pjesë e Universitetit të Tiranës.

E pranishme në këtë ceremoni ishte Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, vlerësoi përkushtimin dhe përgatitjen e tyre në fushën e integrimit europian.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi rëndësinë e këtij programi si një hap thelbësor drejt përparimit të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke shprehur besimin se kontributi i të sapodiplomuarve do të jetë i një rëndësie të veçantë për administratën publike në përballimin e sfidave që paraqet procesi i negociatave. “Administrata publike ka nevojë për ju,” u shpreh ministrja Pirdeni.

Programi i masterit ekzekutiv, i pari i këtij lloji në rajon, është hartuar për të përmbushur nevojat specifike të Shqipërisë në këtë fazë kyçe të integrimit europian, duke u përqendruar tek grupkapitujt e negociatave.

Qëllimi i këtij programi master ekzekutiv një vjeçar është t’i pajisë pjesëmarrësit me të gjitha njohuritë e nevojshme teorike dhe praktike për t’u angazhuar me sukses në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe projektet evropiane.
Qasja e tij profesionale ofron informacion të përditësuar dhe praktik, i cili u mundëson pjesëmarrësve të kontribuojnë në mënyrë efektive në procesin e negociatave.