Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, mori pjesë në Takimin joformal të Ministrave për Çështjet Evropiane të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate, i mbajtur në Kopenhagë, me fokus të veçantë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e mbajtur, ministrja Pirdeni theksoi nevojën për një qasje sistematike drejt anëtarësimit të shpejtë, përmes përfshirjes graduale në tregun e përbashkët dhe në institucionet ku diskutohen politikat e BE-së. Ajo nënvizoi se ky proces duhet të ecë paralelisht me rigorozitetin e domosdoshëm në përmbushjen e detyrimeve që e bëjnë vendin anëtar të plotë në Bashkimin Evropian.

Zgjerimi i BE-së është një prioritet strategjik i konfirmuar tashmë dhe gjatë Presidencës Daneze dhe po intensifikohet edhe më shumë, jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime.

Shqipëria është mes vendeve që po ecin me shumë ritëm drejt linjës së finishit, me hapjen e katër grupe kapitujsh dhe pritet të hapen edhe dy të fundit brenda vitit 2025.

Në takim, ministrat e vendeve anëtare të BE-së, së bashku me ministrat nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Turqia, shkëmbyen mendime mbi rëndësinë e kritereve të Kopenhagës si bazë e procesit të zgjerimit dhe mbi konceptin e Integrimit gradual si mekanizëm për ruajtjen e perspektivës evropiane dhe forcimin e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit.