Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Shqipëria hapi zyrtarisht grup-kapitullin e VI-të “Marrëdhëniet me jashtë” në konferencën e tretë ndërqeveritare për integrimin në Bashkimin Evropian.

Takimi i mbajtur në Bruksel shënon një moment të rëndësishëm për rrugëtimin integrues të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, miratuar nga Unioni në vitin 2020.

Grup-kapitulli i VI-të “Marrëdhëniet me jashtë”, përfshin kapitujt negociues 30 dhe 31, përkatësisht “Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga Kryeministri Z. Edi Rama, me prezencën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Igli Hasani, Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatorja Znj. Majlinda Dhuka, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës (30, 31) të grupkapitullit të VI-të.

Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “Themeloreve”, më 15 tetor që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Agjenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; Marrëdhëniet me jashte.

Konferenca Ndërqeveritare i paraprin Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më datë 18 dhjetor 2024, si dhe një sërë takimeve që Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit do të zhvillojnë me përfaqësues të lartë të BE.