Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të rinj të grup-kapitullit III “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në Bruksel, Shqipëria hapi zyrtarisht grup-kapitullin III “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse” në Konferencën e V-të Ndërqeveritare.
Grup-kapitulli i III-të “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, përfshin 8 kapitujt negociues që përfshijnë: kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), kapitulli 16 (Tatimet), kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni ishte pjesë e delegacionit shqiptar që kryesohej nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Z. Igli Hasani, me prezencën e Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatores Znj. Majlinda Dhuka, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës.
Me këtë vendim janë hapur deri tani negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të grup-kapitullit I (Themeloret) më 15 tetor 2024, grup-kapitullit VI (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 dhjetor 2024, si dhe grup-kapitullit II (Tregu i Brendshëm) më 14 prill 2025.
Ky ritëm i përshpejtuar i çeljes së negociatave reflekton si përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, ashtu edhe theksin e ripërtërirë të BE-së mbi zgjerimin si një prioritet strategjik.
Në vijim, Shqipëria do të hapë edhe dy grup-kapituj që kanë mbetur brenda këtij viti, grup-kapitullin “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” si dhe grup-kapitullin “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Takimi i mbajtur në Bruksel shënon një tjetër moment të rëndësishëm për rrugëtimin integrues të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, e miratuar nga Unioni në vitin 2020.