Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni u takua në Berlin me përfaqësues të Fondacionit Bertelsmann, ku diskutoi nga afër rezultatet e Shqipërisë në Indeksin e Transformimit Bertelsmann (BTI) për vitin 2024.

Sipas raportit, Shqipëria ka performuar më mirë në të gjithë treguesit e raportit krahasuar me të gjitha raportet e publikuara që prej vitit 2006.

Indeksi konfirmon se Shqipëria është një vend me qeverisje të mirë, duke u renditur e 13-ta në botë nga 137 vendet në zhvillim dhe transformim të analizuara për indeksin e qeverisjes.

Shqipëria është vetëm një nga tetë vende të BTI-së që kanë bërë progres substancial politik në dekadën e fundit.
Veçanërisht i rëndësishëm është përmirësimi i shpejtë në cilësinë e qeverisjes, që është rritur me 1.69 pikë në BTI gjatë dhjetë viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë ndër tre vendet me përmirësimin më të madh të qeverisjes në botë nga vendet e analizuara.

Vendi ka bërë përparime në të gjitha fushat e qeverisjes, sipas raportit por, me një rritje prej 2.0 pikësh, veçanërisht në fushën e efikasitetit të burimeve, përfshirë politikat kundër korrupsionit.

Vlerësimi është rezultat i një procesi bashkëpunimi të rreth 300 ekspertëve nga universitete dhe think tank prestigjioze në mbi 120 vende. Periudha e marrë në vlerësim për indeksin e vitit 2024 përkon me 1 shkurt 2021 deri në 31 janar 2023.

BTI është i vetmi indeks krahasues ndërkombëtar që mat cilësinë e qeverisjes përmes të dhënave dhe datave të grumbulluara autentike, duke ofruar kështu një analizë krahasuese mbi menaxhimin politik në proceset transformuese të vendeve të analizuara.