Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ka hapur siparin konferenca e dytë Rajonale e UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin) për zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, duke e shndërruar Tiranën kryqendrën rajonale me prezencën e pjesëmarrësve të nivelit të lartë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet e rajonit u përfaqësuan nga titullarë të Agjencive Antikorrupsion, të Prokurimit Publik, të Pastrimit të Parave dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese.

Si shtet palë, Shqipëria mbetetet e angazhuar për të vijuar zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC).

E ftuar në konferencë, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni tha në fjalën e saj se reforma në drejtësi po rishkruan faqen e re të Shqipërisë evropiane duke u shndërruar në “kalin e betejës” për avancimin e procesit të aderimit në BE.

Në përmbushjen e zotimeve në kuadër të UNCAC, ministrja Pirdeni u shpreh se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm agjendën e reformave në fushën e prokurimit publik me miratimin e strategjisë kombëtare të Prokurimit Publik, aplikimin e Inteligjencës Artificiale për të eliminuar ndërhyrjet e paligjshme njerëzore dhe duke trajnuar zyrtarët e përfshirë në proceset prokuruese.

“Lidhur me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit tek prokurimet publike, përfshirë edhe në kohë krizash, Shqipëria ka përmirësuar agjendën e reformave në fushën e prokurimit publik në katër drejtime, siç janë: Miratimi I Strategjisë Kombëtare të Prokurimit Publik e cila gjithashtu është rikonceptuar së fundi dhe është jetëzuar për zbatim për vitet 2024-2030; Element i dytë janë ndryshimet ligjore në ligjin për prokurimin publik në mars të këtij viti, i cili ka vendosur vendosur gurë të tjerë themeli në thellimin e integritetit në procedurat e prokurimit publik, po ashtu përmes rritjes së profesionalizmit të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në ciklin e prokurimit publik përmes certifikimit, minimizimit të ndërhyrjes së paligjshme njerëzore në proces dhe injektimit të teknologjisë më të avancuar të inteligjencës artificiale, për të zvogëluar në minimum tendenca ndërhyrje, në procesin e hartimit të kritereve dhe më pas në kontrollin e zbatimit të kontratave,” u shpreh Pirdeni.

Ministrja Pirdeni tha se vendi ynë ka forcuar kontrollin e mëtejshëm të sistemeve për zbulim të konfliktit të interesit dhe deklarimit të pasurisë.

“Një tjetër pikë me rëndësi për këtë Udhërrëfyes është forcimi i mëtejshëm i sistemeve për deklarimin e pasurisë, një proces administrativ dhe kontrolli i suksesshëm i nisur prej disa vitesh, dhe finalizuar me sukses shoqëruar me një proces të gjerë trajnimi nga të gjitha njësitë e burimeve njerëzore, për ta bërë deklarimin e pasurisë proces efektiv në fakt, por mbi të gjitha për t’i hapur rrugë transparencës së plotë dhe në kohë sa më të shpejtë mbi pasurinë e zyrtarëve publikë. Vënia në funksionim të plotë të këtij sistemi nga ILDKPKI ka marrë vlerësimin “zbatuar plotësisht” edhe në raundin e pestë të vlerësimit në GRECO, që në fazën e parë të tij, në dhjetor 2022,” tha ministrja Pirdeni.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin theksoi se një prej objektivave të Udhërrëfyesit të Ohrit 2021, ishte krijimi i rrjetit rajonal të prokurorëve të specializuar, GlobE, një zotim i përmbushur plotësisht tashmë nga Shqipëria.

“Prokuroritë në Shqipëri i janë bashkuar nismës së Rrjetit Global të Operacioneve të Zbatimit të Ligjit Anti-Korrupsion (GlobE NETWORK) si një mjet efikas forcimin e shkëmbimit të komunikimit dhe mësimit të kolegëve dhe shkëmbimit të rasteve të suksesit. Dhe për më tepër, këto dy autoritete shqiptare janë bërë pjesë edhe e Rrjetit të GlobE rajonal për vendet rajonit tonë me pjesëmarrjen në njoftimin e deklaratës së ngritjes së tij, në shtator 2023, pranë UNODC në Vjenë,” tha ministrja Pirdeni.

I miratuar në konferencën rajonale në Ohër në vitin 2021, Udhërrëfyesi“ Antikorrupsioni dhe Financimet e paligjshme” në Ballkanin Perëndimor kishte qëllim zbatimin e masave ekzistuese në vendet përkatëse kundër korrupsionit dhe financave të paligjshme për të mbështetur zbatimin e standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare përfshirë raportet vjetore të Komisionit Evropian në lidhje me zgjerimin e BE-së, si dhe GRECO-n.

Në fund të punimeve tre-ditore të konferencës rajonale në Tiranë, pritet hartimi i Udhërrëfyesit të ri për Antikorrupsionin dhe Financimet e Paligjshme, i cili do të konsolidojë më tej bashkëpunimin midis strukturave përgjegjëse në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duke sjellë ekspertizën më të mirë në funksion të ngritjes së mekanizmave për të luftuar korrupsionin.