Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Të gjithë punonjësit e administratës publike do të kenë fleksibilitet në oraret e punës, duke pasur mundësi të përcaktojnë vetë se kur do të nisin ditën e punës. Vendimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Fleksibiliteti në orarin e punës ka qenë një kërkesë kryesore e shprehur nga punonjësit e administratës publike.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, tha se:
“Në bazë të këtij vendimi, parashikohet shprehimisht që ndërkohë që kohëzgjatja ditore e punës mbetet e njëjtë pra nga e hëna në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte, 6 orë – punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin ta nisin ditën e tyre të punës më herët dhe ta përfundojnë më herët ose ta nisin më vonë dhe ta përfundojnë më vonë duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezentë në zyrat e tyre në një fashë orare nga ora 09:30 deri në orën 15:30 nga e hëna deri të enjten dhe nga ora 09:30 deri në orën 13:00 ditën e premte.”

Vendimi i ndërmarrë në kuadër të energjizimit të administratës me konceptimin e orëve fleksibël të punës garanton një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private të të gjithë punonjësve të administrates publike.
Ministrja Pirdeni njoftoi gjithashtu se pushimet vjetore të punonjësve të administratës janë llogaritur në 22 ditë, duke u shtuar me dy ditë lejen vjetore.

“Ditën e premte, më 26 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë të cilësuar ndryshimet në Kodin e Punës për të garantuar gjithashtu një element tjetër fleksibël në mënyrën sesi menaxhohet i gjithë procesi i akordimit të pushimeve për të gjithë punonjësit e administratës publike, por jo vetëm edhe për sektorin privat. Në ndryshimet e Kodit të Punës është hequr kufizimi sipas të cilit punonjësit e administratës publike nuk mund të merrnin leje vjetore në një kohëzgjatje më pak sesa një javë kalendarike. Është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar gjithashtu edhe dy ditë ekstra pushim për të gjithë punonjësit,” u shpreh ministrja Pirdeni.

Vendimi i ndryshuar nr.568, datë 6.10.2021 “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompesimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore” u miratua në kuadër të planit të rienergjizimit të administratës publike, pikërisht për të injektuar elementë të fleksibilitetit në punë dhe për të garantuar që administrata publike shqiptare të jetë një punëdhënës më tërheqës.