Ministria për Administratën Publike

Adea Pirdeni është betuar sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, si Ministre për Administratën Publike. Për herë të parë, Shqipëria ka një ministri me portofol të dedikuar për reformën e administratës publike dhe mirëqeverisjen, një zhvillim i rëndësishëm që mbështetet në punën dhe reformat e udhëhequra nga Pirdeni që prej janarit 2024, në detyrën e Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Reformat e ndërmarra në modernizimin e shërbimit civil, forcimin e meritokracisë, riorganizimin institucional dhe rritjen e llogaridhënies marrin tashmë një mbështetje më të fortë institucionale. Ky hap shënon njëkohësisht njohjen e punës së deritanishme dhe një përgjegjësi të shtuar për të çuar përpara ndërtimin e një administrate më profesionale, efikase dhe në shërbim të qytetarëve, në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.