Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Lundroni në këtë Seksion

Znj. Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe prej 16 janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Prej shtatorit 2020, ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë dhe negociatore si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 “Gjyqësori & të Drejtat Themelore”. Në cilësinë e Zëvendësministres, Znj. Pirdeni ka mbuluar çështje të kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.

Prej vitit 2008 Znj. Pirdeni është angazhuar si lektore me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës së BE-së dhe të Drejtës Administrative. Fushat e saj kryesore kërkimore janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi.

Znj. Pirdeni ka eksperiencë disavjeçare si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, dhe Shkollës së Avokatisë. Ka shërbyer edhe si eksperte ligjore në një numër projektesh me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, me fokus në përmirësimin e performancës institucionale të administratës publike, luftën kundër korrupsionit, përafrimin e legjislacionit në kuadër të integrimit evropian.

Znj. Pirdeni mban titullin Master në të Drejtë Publike nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, titullin Magister Juris (MJur) me fokus të Drejtën Evropiane dhe të Drejtën Publike nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit. Prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike”.

Ajo zotëron gjuhën angleze, gjermane, franceze dhe italiane.