Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Drejtorinë e Përgjithshme Antikorrupsion (DPAK), çelën konsultimin publik për Vlerësimin e Riskut të Integritetit në ASHK me grupet e interesit.
Tryeza mblodhi përfaqësues nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët ndanë sugjerime mbi masat për garantimin e integritetit në çdo hallkë të punës së ASHK-së. Në aktivitet morën pjesë drejtues të ASHK-së, përfaqësues të shoqërisë civile, Delegacionit të BE-së, Dhomës së Avokatisë, Dhomës së Noterisë, NAREA-s dhe sektorit bankar.
Ky dokument përbën bazën për hartimin e Planit të Integritetit Institucional 2025–2027, një mekanizëm real për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës në sektorin e pronës. Procesi u zhvillua në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë analiza të risqeve, konsultime me stafin dhe asistencë teknike nga projekti EU4GG, me qëllim forcimin e kontrollit të brendshëm, rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe rritjen e besimit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet e Kadastrës.
Në fjalën e saj, Ministri i Shtetit për për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, theksoi: “Hartimi i Planit të Integritetit, si pjesë e masës së parë ‘Lufta kundër korrupsionit’, është një nga iniciativat më të rëndësishme të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, pjesë e angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes së BE-së. Brenda dhjetorit të këtij viti, Shqipëria do të ketë një plan të qartë për mitigimin e risqeve në funksionimin e institucionit të Kadastrës.”
Plani Institucional i Integritetit synon forcimin e mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe parandalimit të korrupsionit, përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve për një kulturë etike dhe profesionale në shërbimin publik. Ai garanton trajtim të barabartë për çdo qytetar dhe synon të rikthejë e konsolidojë besimin e publikut tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës si një institucion transparent, efikas dhe i besueshëm.