Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, zhvilloi një bashkëbisedim energjik me profesionistët e rinj të Komisionit Evropian, të angazhuar në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Diskutimi u fokusua në momentumin e rëndësishëm që Shqipëria ka drejt sfidës historike të aderimit në BE brenda kësaj dekade.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Pirdeni prezantoi agjendën ambicioze të qeverisë shqiptare për mbylljen e negociatave teknike deri në vitin 2027, duke theksuar se procesi i përafrimit me legjislacionin evropian po ecën me ritme të shpejta. Ministrja gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të profesionistëve të rinj të Komisionit Evropian, duke ndarë perspektivat e qeverisë shqiptare mbi reformat kyçe dhe sfidat e integrimit, si dhe duke shkëmbyer mendime mbi përvojat dhe praktikat më të mira në këtë proces.