Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, shoqërinë civile, si dhe ekspertë të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit.
Takimi shënoi përmbylljen e fazës së dytë të punës së Komisionit të Posaçëm dhe gjatë tij u prezantua drafti i Planit Kombëtar të Veprimit, i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL), vendas dhe ndërkombëtarë, dhe Sekretariati Teknik pranë tij.

Takimi vazhdoi me tre panele diskutimi, ku u paraqitën metodologjia, gjetjet dhe masat kryesore të përfshira në draftin e Planit Kombëtar të Veprimit. Ky plan veprimi është i ndarë në tri shtylla të rëndësishme: Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Znj. Adea Pirdeni, e pranishme në panel, vlerësoi punën e bërë nga të gjithë aktorët e përfshirë në hartimin e këtij plani dhe theksoi rëndësinë e qasjes proaktive dhe kontributit real për ndërtimin e një dokumenti që mbështet objektivin e Shqipërisë për integrimin në BE.
Ministrja Pirdeni gjithashtu nënvizoi nevojën për një ndërveprim të ngushtë për të siguruar që mekanizmat e mirëqeverisjes dhe lufta kundër korrupsionit të funksionojnë me efikasitet dhe të kontribuojnë realisht në ecurinë e negociatave me BE-në.