Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsinin, Adea Pirdeni bashkërisht me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Z. Arbjan Mazniku kanë zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësues të institucioneve të vetëqeverisjes vendore për të diskutuar Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030.

Ndër risitë e SNKK 2024-2030 është adresimi i çështjeve të integritetit dhe korrupsionit në nivel vendor, duke marrë në konsideratë se këto institucione jo vetëm mbeten ofrues të një numri të konsiderueshëm shërbimesh në nivel vendor, por edhe menaxhues të fondeve publike.

Instrumentet e integritetit kanë filluar të hartohen dhe miratohen në nivel vendor, duke rritur angazhimin e administratës për transparencë dhe llogaridhënie, si një mekanizëm për të adresuar më mirë rrezikun e korrupsionit brenda institucionit.

Sot janë 24 bashki nga 61 bashki në vend që kanë miratuar plane integriteti dhe kanë caktuar koordinatorët e integritetit si mekanizma për të siguruar zbatimin e tyre.

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni teksa renditi risitë që sjell Strategjia Kundër Korrupsionit u shpreh se miratimi i saj do të garantojë vijueshmërinë e ndërhyrjes me masa sistemike për një vend pa korrupsion dhe një shoqëri në të cilën vlerat si integriteti, transparenca dhe përgjegjësia udhëheqin veprimet e qytetarëve dhe performancën e institucioneve.
Gjatë fjalës ministrja Pirdeni shtoi se të gjithë masat e parashikuara në Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 janë tërësisht të linjëzuar me Agjendën e Shqipërisë 2030, si dhe adresojnë të gjithë zotimet që burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian, për institucione më solide që krijojnë dita ditës rezistencë të shtuar ndaj cdo cënimi të integritetit.

Në fund të takimit, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionit Znj. Adea Pirdeni falënderoi të gjithë pjesëmarrësit duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në këtë proces të rëndësishëm.

Sakaq, përfaqësuesit e vetëqeverisjes vendore gjatë takimit konsultativ ndanë mendimet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, duke kontribuar me ide dhe propozime konkrete për strategjinë e re, e cila është në proces konsultimi publik.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, asistoi në procesin e hartimit të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 nëpërmjet projektit EU4GG Good Governance, si një partner i gjendur i Qeverisë Shqiptare për të çuar përpara agjendën Evropiane.