Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, gjatë raportimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë, bëri një përmbledhje të arritjeve të Departamentit të Administratës Publike për vitin 2023, duke theksuar zhvillimet kyçe që kanë ndikuar pozitivisht në performancën e administratës publike.

Ministrja nënvizoi se i gjithë aparati administrativ iu nënshtrua procesit screening, duke kaluar me sukses testin e pjekurisë për përballjen me sfidat e integrimit evropian. Ajo vuri në dukje se ky proces ishte një hap thelbësor në forcimin e kapaciteteve të administratës dhe përgatitjen e saj për sfidat që sjell integrimi në Bashkimin Evropian.

Një nga arritjet më të rëndësishme të vitit 2023 ishte finalizimi i Reformës së Pagave, një nismë që dëshmon përkushtimin ndaj prioritizimit të Administratës Publike. Kjo reformë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin e punonjësve dhe tërheqjen e talenteve të reja, duke synuar pagën mesatare në administratën publike në nivelin e 105,000 lekëve të reja në muaj.

Ministrja Pirdeni shpjegoi se rritja e pagave varionte nga 16% deri në 46%, duke përfshirë të gjithë institucionet publike. Për më tepër, u realizua reforma e elementëve të pagës bruto mujore për nëpunësit civilë dhe për punonjësit e tjerë me të njëjtën strukturë page. Kjo rritje përfshinte pagat e titujve, gradave, pedagogëve në arsimin e lartë, si dhe për shërbimin diplomatik, ku pagat u rritën me 20%. Gjithashtu, paga e mjekëve specialistë u rrit me 15,000 lekë të reja, ndërsa pjesa tjetër e punonjësve të shëndetësisë përfitoi një rritje prej 7%.

Ministrja përmendi gjithashtu rritjet e pagave në sektorin e Forcave të Armatosura, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardën e Republikës dhe arsimin parauniversitar. Në vijim, ministrja Pirdeni bëri të ditur se është hartuar një Udhërrëfyes për Reformën në Administratën Publike për periudhën 2023-2030, dhe se po monitorohet zbatimi i tij në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.