Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Me 83 vota, Kuvendi miratoi projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, një nismë e Këshillit të Ministrave me propozim të Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Projektligji formalizon për herë të parë veprimtarinë e lobimit, si një aktivitet i ligjshëm, transparent dhe i gjurmueshëm.

“Projektligji ka një qëllim primar: T’i bëjë të përgjegjshme ndërveprimet e grupeve të interesit me institucionet publike, si dhe çdo formë ndikimi mbi politikat dhe vendimet publike në interes të qytetarëve”, – u shpreh Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Drafti i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi publik në periudhën tetor – nëntor. Në tryezën e datës 26 nëntor me OJF-të u përfshinë 50 pjesëmarrës, ndërsa 14 subjekte dhanë gjithsej 96 komente dhe propozime, nga të cilat mbi 70% janë pranuar plotësisht ose pjesërisht. Projektligji u shqyrtua në 4 komisione parlamentare dhe u konsultua gjerësisht me ekspertët e Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës.

Ligji kërkon regjistrimin e detyrueshëm të lobistëve dhe krijimin e Regjistrit të Lobimit, ku do të publikohet informacion i qartë dhe periodik.

Ligji zbatohet për një gamë të gjerë zyrtarësh publikë, si në nivel qendror ashtu edhe vendor, si dhe për çdo subjekt që synon të ndikojë në vendimmarrjen publike. Si lobistët, ashtu edhe vetë zyrtarët publikë do të kenë detyrimin të deklarojnë kontaktet dhe komunikimet që zhvillojnë me lobistë.